Suat Alija: Do të kemi një Shkup të fortë, jemi afër një super-përforcimi!

FC Shkupi sigurisht se do të fillojë më ndryshe dhe me plane tjera gjysmëstinor pranveror në elitën e futbollit vendor, duke shmangur plotësisht gabimet që i kushtuan rëndë në sezonin e parë. Në një bisedë mes “InfOSport.mk” dhe aksionarit kryesor të FC Shkupit, Suat Alija, ky i fundit ekskluzuvisht për portalin tonë sqaron pak atmosferën dhe punën që po bëhet me FC Shkupin në Antalia të Turqisë.

“Përgatitje po shkojnë realisht shumë mirë, i gjithë grupi po punon në mënyrë intensive dhe jemi të bindur se do të kemi një Shkup të fortë në këtë gjysmësezon që ka ngelur”, thotë fillimisht Suat Alija, duke vijuar të tregojë për ndryshimet në klub dhe prurjet e reja që do të vijnë në këtë merkato të janarit “Kryesia e klubit është duke punuar për t’ia plotësuar të gjitha kërkesat trajnerit, të ketë të gjithë ato që ka nevojë në ekip. Për momentin nuk mundem ta shpalos emër e as detaje, por jemi shumë afër një super-përforcimi dhe brenda disa ditëve do të zyrtarizohet. Do të jetë surpriz e madhe në veçanti për tifozët tanë “Shvercerat”, shprehet z. Alija.

Çdo pikë për FC Shkupin në sezonin e dytë është e rëndësishme, ndërsa krerët e kësaj skuadre pretendojnë edhe Europën nëse situata në kampionat e sjell një rast të tillë.

“Objektivi jonë është që sa më shpejt të mbledhim pikët që na sigurojnë mbijetesën në elitë dhe pastaj nëse na vjen ndonjë rast për dalje në Europë, me plotë bindje e them që nuk do ta lëshojmë”, përfundon Alija.