Takim Mizrahi – Sela, mes temave të tjera edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale realizoi takim me drejtorin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ylber Sela, me të cilin kishin biseduar për avancimin e bashkëpunimit mes Ministrisë dhe Agjencisë në drejtim të komunikimit më të mirë dhe informimit të qytetarëve, si dhe në zbatimin e obligimeve sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili ishte miratuar më 14 janar të vitit 2019, informojnë nga Ministria.

Drejtori i Agjencisë i ka dhënë përkrahje të plotë ministres sa i përket sfidave me të cilat përballet si ministre dhe ka shprehur gatishmëri që të japë mbështetje në sferën në të cilën Agjencia është kompetente.

“Ky takim vetëm e konfirmoi angazhimin tim si ministre që të bashkëpunoj me të gjitha institucionet në drejtim që t’iu mundësojmë qytetarëve realizimin e të drejtave të tyre. Ministria do të vazhdojë edhe në të ardhmen t’i respektojë obligimet dhe me drejtorin Sela të kemi komunikim dhe takime të rregullta”, tha Rashella Mizrahi.

Sela, duke potencuar se takimi kishte kaluar në atmosferë të shkëlqyer, tha se me ministren ishin marrë vesh që Ministria në vazhdimësi ta zbatojë Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe se ai në emër të Agjencisë do të japë mbështetje dhe ndihmë të plotë në komunikimin me opinionin dhe atë proces.