Talat Xhaferi: Minishengeni duhet të përfshijë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor

Shengeni Ballkanik nuk mund të jetë i plotë pa Kosovën. Kështu shprehet kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Në një intervistë për Euronews Albania, Xhaferi tha se nuk mund të ketë një shengen rajonal pa pjesëmarrjen e të gjitha subjekteve që përbëjnë hapësirën e Ballkanit Perëndimor, ndërsa shton se kritikat që shengeni ballkanik është një ringjallje e Jugosllavisë së dikurshme janë të pabazuara.

“Nuk besoj që ka pretendime se do të ketë një Jugosllavi të re siç ishte Mbretëria Jugosllave apo ish-Jugosllavia, për faktin që nuk besoj se lidershipi do të lejonte të rikthehej një instrument i tillë”, – tha Xhaferi.

Për kryeparlamentarin e Maqedonisë së Veriut, Ballkani, megjithëse i ka tejkaluar konfliktet e vjetra, ende mbetet një zonë e nxehtë dhe mundësia që refuzimi për çeljen e negociatave të shkaktojë destabilitet në rajon, është e lartë.

“Ballkani Perëndimor gjithnjë është një vend që për shumë pak çështje mund të rikthehet në situatën që ka qenë dhe në perceptimin që ka pasur prej shekujsh si fuçi baruti, ndaj në këtë drejtim duhet të jemi të kujdesshëm të gjithë ne që jemi faktor vendimmarrës për Ballkanin Perëndimor. Dhe, gjithsesi për këtë aspekt historik të statusit të Ballkanit Perëndimor duhet të kenë kujdes dhe përkujdes nga vendet anëtare të Unionit Europian, për faktin nuk mund të ketë një Europë të stabilizuar nëse Ballkani Perëndimor, si pjesë përbërëse integrale e Unionit Europian do të jetë i destabilizuar”, – tha kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut për Euronews Albania.