Të arriturat në arsim në 2019, Ademi: Kemi punuar për rritjen e cilësisë

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, shprehet i kënaqur me të arriturat e kësaj ministrie dhe qeverisë në sferën e arsimit gjatë vitit 2019.

Në mesin e vendimeve të rëndësishme, Ademi për TVM2 përmend Ligjin për Arsimin Fillor, Ligjin për Mësimdhënës dhe Bashkëpunëtorë Profesionalë, ndryshimin e programeve mësimore të muzikës për klasën e gjashtë deri në klasën e nëntë, programet e reja në disa lëndë, si arsimin qytetar, që, siç tha Ademi, promovon multietnicitetin dhe multikulturalizmin, Ligjin për Standardin Studentor dhe Standardin e Nxënësve dhe reformat në arsimin profesional.

“Një nga proceset më të mëdha reformuese në vend filloi këtë vit shkollor 2019-2020 në arsimin e mesëm profesional. Arsimi dyvjeçar, trevjeçar dhe katërvjeçar është tërësisht i reformuar me mbi 1000 programe të reja mësimore.”,- theksoi ministri i Arsimit, Arbër Ademi.

Problemi me shkollat, Ademi: Ndamë mjete financiare, vazhdojmë procedurat

Sipas ministrit të Arsimit, gjatë vitit 2020 do të bëhen përpjekje për zgjidhjen e problemit me objektet shkollore në Bllacë, Vizbeg, Reçicë të Vogël dhe rajonin e Velesit.

“Në Bllacë tashmë kemi lejen e ndërtimit, në Vizbeg procedurat administrative tashmë kanë përfunduar, gjithashtu edhe në Reçicë të Vogël të Tetovës kanë përfunduar, në Klukoves të Velesit gjithashtu procedurat kanë përfunduar dhe se 2020-a do të jetë e fokusuar në realizimin e këtyre planeve të cilat janë jetike për nxënësit tanë. Edhe në programin për investime kapitale të Ministrisë së Arsimit për vitin 2020, që kaloi javën e kaluar në qeveri, parashihet ndërtimi i objekteve shkollore në këto vende, duke ndarë edhe mjete të caktuara financiare.”,- tha ministri i Arsimit, Arbër Ademi.

Ministri Ademi njëherit theksoi edhe ndërtimin e sallave sportive dhe marrëveshjen me Sindikatën e Arsimit për rritjen e pagave prej 10%, që fillon që nga një janari i vitit 2020.