TË FLIJOJMË KAUZAT PARTIAKE PËR INTERESA MADHORE SHTETËRORE E KOMBËTARE

Shkruan: Mehmet PRISHTINA

Qeveria e ardhshme e Kosovës nuk guxon ta trajtojë opozitën armike të proceseve, e më së paku ta projektojë Presidentin si ndonjë zgjatim të teorive konspirative, por përkundrazi të shtrijë në gjithë rrafshin politik e institucional kulturën e bashkërendim dynivelësh, ku Parlamenti do të ishte filtri i të gjitha ideve dhe veprimeve. Elektorati kosovar, përpos pro ndryshimit, ka votuar edhe për një klimë të re mirëbesimi në mes të aktorëve politikë, sepse vetëm si e tillë Kosova mund të bëhet faktor që do të shkruaj historinë me duart e njerëzve të guximshëm që i flijojnë kauzat partiake për interesa madhore shtetërore kombëtare

Vëmendja e opinionit publik këtyre ditëve me të drejtë është e orientuar nga selitë e dy partive kryesore që fituan zgjedhjet e 6 tetorit, LVV dhe LDK, ku pritet të formalizohet edhe në praktikë paralajmërimi për një koalicion bashkëqeverisës. Procesi zgjedhor përpos që ishte tepër mbresëlënës sa i përket kulturës së lartë elektorale, ai njëkohësisht prodhoi edhe një efekt politik në planin e ndryshimeve, duke ofruar rrethana të reja dhe aktorë të rinj, prej të cilëve pritet që të sjellin një klimë më produktive në politikbërje.

Tani për tani Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë emrat më të përfolur dhe më të merituar të këtij ndryshimi dhe ata me të drejtë mund të quhen dishepuj të rinj të një epoke të re politike në Kosovë. Edhe në të kaluarën ka pasur gara elektorale që kanë sjellë në pushtet ekipe të ndryshme bashkëqeverisëse, mirëpo efektet e atyre garave nuk kanë prodhuar ndonjë energji mobilizuese dhe për pasojë rotacioni postzgjedhor vetëm se ia ka zgjatë jetën letargjisë politike dhe institucionale.

Por, a mjafton vetëm rezultati i mirë zgjedhor për të reflektuar risi në planimetrinë e zhvillimeve në terren, nëse e kemi parasysh strukturën e pushteteve aktuale në Kosovë, i cili edhe më tutje do të vazhdojë të ketë një subordinim të brendshëm, në mes të ekzekutivit dhe legjislativit. Në këtë kombinatorikë pushtetesh është edhe Presidenti, statusi kushtetues të cilit i mundëson të jetë aktiv në disa segmente të vendimmarrjes politike.

Në demokracitë parlamentare, roli i presidentëve sillet brenda një qarku të ngushtë kompetencash, dhe varësisht prej raporteve që ndërton me ekzekutivin, zhvillohen pastaj edhe konditat e kohabitimit. Në rastin e Kosovës, presidentët kanë pasur ngritje dhe rënie marrëdhëniesh me ekzekutivin, me përjashtim të dy viteve të fundit kur Presidenti u dallua për nga protagonizmi aktiv në raport me disa zhvillime në politikën jashtme, konkretisht në raport me bisedimet me Beogradin.

Opinioni publik në të shumtën e rasteve mbeti i ‘uritur’ sa i përket hollësive dhe të panjohurave rreth dialogut me Beogradin, me të cilat operonte Presidenti dhe i bënte publike pjesërisht vetëm në konferenca shtypi, por pa një elaborim dhe bashkërendim të hollësishëm me forcat tjera politike parlamentare. Kjo mënyrë e përfaqësimit të politikës së jashtme të Kosovës nga ana e Presidentit Thaçi, krijoi animozitete të shumta në raport me kritikuesit e tij, dhe sidomos me opozitën. Kjo e fundit kërkonte transparencë dhe bashkërendim idesh e veprimesh që do t’i jepnin Kosovës një fuqi edhe më cilësore në vendimmarrje karshi politikave agresive serbe.

Me krijimin e rrethanave të reja politike në Kosovë, duhet të ndryshojë substancialisht edhe qasja institucionale kundrejt politikave të caktuara, sidomos kundrejt atyre çështjeve të hapura me Serbinë, të cilat vazhdojnë të gjenerojnë situata krize, por edhe keqkuptime në raport me miqtë tanë ndërkombëtarë.

Ajo që duhet të ndodhë, e që nuk ishte praktikë e pushteteve të kaluara, ka të bëjë me instalimin e një fryme mirëbesimi në mes të institucioneve, ku secili do ta ndiente veten përgjegjës dhe kompetent për punët që duhet kryer. Në rastin konkret subordinimi dhe kohabitacioni në mes të Presidentit dhe Qeverisë duhet të funksionojë shumë më kualitativisht dhe më përmbajtësisht se deri më tani, duke nxjerrë në pah nevojën e arritjes së konsensusit nacional për tema senzitive që lidhen gjithsesi me të ardhmen e vendit.

Një Kosovë e bashkuar së brendshmi duhet patjetër të demonstrojë një unitet politik të jashtëm, sepse kjo është mënyra më e mirë e përgjigjes ndaj sfidave që shtron koha. Me fjalë të tjera, sa më unike të jetë skena politike kosovare, aq më defanzive do të jenë aksionet diplomatike të Beogradit karshi sovranitetit dhe integritetit të Kosovës.

Zatën në të kaluarën Kosova përjetoi disa fiasko në planin diplomatik, sidomos sa i përket procesit të çnjohjeve, por edhe i refuzimit të disa organizmave ndërkombëtarë, siç ishte Interpoli, por edhe OKB, për ta pranuar atë anëtare të barabartë, e që i atribuohen kryesisht aktiviteteve joparimore e retrograde diplomatike të Beogradit, në njërën anë, dhe dështimit të klasës politike të Prishtinës për një konsolidim dhe unifikim të brendshëm politik e institucional, në anën tjetër.

Kabineti i ri qeverisës do ta ketë shansin historik që të rrahë disa rrugë që kanë qenë të pamundura për qeveritë e deritanishme, sidomos ato rrugë që i sjellin Kosovës më shumë kohezion të brendshëm, duke risjellë në tryezat e bisedimeve Kosovën jo si temë por si palë dhe duke kultivuar sensin e bashkëpunimit Qeveri-Parlament – President me të gjitha parametrat e dinjitetshme të përgjegjësive dhe obligimeve shtetërore.

Qeveria e ardhshme e Kosovës nuk guxon ta trajtojë opozitën armike të proceseve, e më së paku ta projektojë Presidenti si ndonjë zgjatim të teorive konspirative, por përkundrazi të shtrijë në gjithë rrafshin politik e institucional kulturën e subordinimit dynivelësh, ku Parlamenti do të ishte filtri i të gjitha ideve dhe veprimeve.

Elektorati kosovar, përpos pro ndryshimit, ka votuar edhe për një klimë të re mirëbesimi në mes të aktorëve politikë, sepse vetëm si e tillë Kosova mund të bëhet faktor që do të shkruaj historinë me duart e njerëzve të guximshëm që i flijojnë kauzat partiake për interesa madhore shtetërore kombëtare.

Prishtinë, 17 tetor