Thaçi: Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë jap dorëheqje

Presidenti Hashim Thaçi i është adresuar opinionit përmes një videomesazhi pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga Gjykata Speciale.

Presidenti tha se nëse konfirmohet aktakuza do të japë menjëherë dorëheqje.

“Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, tha presidenti, shkruan Reporteri.net.

Thaçi ka thënë se mund të ketë bërë gabime politike, por kurrë nuk ka bërë krime, shkruan Reporteri.net.

Thaçi ka thënë se pafajësia do të dalë mbi plehun e akuzave edhe në rastin tim dhe vëllait tim nga gjaku i luftës, Kadri Veseli.

“Është e drejtë që duhet të zbardhet çdo pretendim e çdo akuzë për krime lufte, prej kujtdo dhe kudo që ka ndodh. Bashkëluftëtarët e mi, me disa prej të cilëve paqja na ka ndarë shpesh në taborë të ndryshëm politikë, i kanë sfiduar me forcën e madhe të së vërtetës shumë fabrikime të ulëta dhe në fund pafajësia e tyre ka shkëlqyer mbi plehun e akuzave monstruoze. Njëjtë do të jetë edhe me mua dhe me vëllain tim nga gjaku i luftës, Kadri Veseli”, tha ai.