T’i ruajmë vatrat e dijes dhe t’i dëbojmë keqbërësit

Ata dëshirojnë ta fikin dritën (fenë) e Allahut me gojën e tyre, por Allahu ka vendosur vetëm që ta përsosë dritën e Vet, edhe sikur mohuesit ta urrejnë këtë gjë”.

(Et Teube, 32)
Të dashur besimtarë, jemi dëshmitarë se si, një grup injorantësh, matrapazësh dhe armiq të islamit, kohëve të fundit, pa kurrfarë turpi apelojnë që mos t’i jepen fitrat dhe zeqatet institucioneve arsimore të BFI-së: Medresesë Isa Beu, me pesë paralelet e dispersuara nëpër qytete të ndryshme të vendit si dhe Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup.
Këtë aktivitet të poshtër e kanë intensifikuar sidomos gjatë këtyre ditëve të agjërimit dhe pa asnjë frikë nga Zoti Fuqiplotë apelojnë që të bojkotohen këta institucione!
Zoti Fuqiplotë e obligon secilën krijesë të vete që të lexojë, të mësojë, të bëhet i dijshëm. Dituria arrihet dhe perfeksionohet nëpër shkolla, sidomos nëpër ato shkolla që shtojnë diturinë tek ata që janë të gatshëm për të predukuar sipas Shpalljes së Shenjtë, Kuranit të Madhërishëm, i cili thotë: “Kurani është shpallje e qartë në zemrat e atyre, të cilëve u është dhënë dija. Shpalljet Tona i mohojnë vetëm keqbërësit” (El Ankebut, 49)
Medresetë dhe FSHI-ja janë dy vatra arsimore prej nga dalin kuadro të dijshëm, të përgatitur për çfarëdo sfidë të jetës, ku mësohen parimet islame, ku gjeneratat tona të reja pajisen me njohuri përmes të cilave do ta lartësojnë fenë islame lart e më lartë. Natyrisht, kjo do t’ju pengonte vetëm keqbërësve!
Qe nga viti 1984, kur startoi me puna Medresja Isa Beu, deri më sot kanë diplomuar mbi 2600 nxënës, si dhe rreth 1300 femra. Aktualisht, pra, kemi 1300 femra të cilat, njohuritë e veta islame do t’i bartin tek fëmijët e tyre, si nëna të devotshme do të rrisin fëmijë të urtë, të dashur, të aftë për të shpërthyer në jetë dhe duke tejkaluar çfarëdo problem me të cilët do të përballen.
Për ta prodhuar këtë kuadër, duhet një buxhet shumë i madh! Besimtarë të dashur, ju të gjithë e dini se, i vetmi burim financiar për mirëmbajtjen e këtyre vatrave arsimore jeni ju dhe vetëm ju! BFI-ja nuk financohet nga asnjë burim tjetër. Fitrat dhe zeqatet shkojnë ekskluzivisht në mirëmbatjen e këtyre vatrave arsimore, por edhe në sigurimin e ushqimit (mbi 1000 shujta në ditë), të ngrohjes, të rrymës, të ujit, të shtretërve në konviktin e nxënësve etj!
BFI-ja në të kaluarën ka përjetuar sulme edhe më barbare, porse, është vetë popullata myslimane që i ka refozuar ato lojëra të pista dhe, me vullnet e dashuri të devotshme ka zgjatur dorën e ndihmës për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e vatrave tona arsimore.
Pa dyshim, edhe kësaj radhe populli mysliman i Maqedonisë, do ta respektojë me xhelozi traditën – fitrat dhe zeqatin do t’i derdhë në vatrat tona arsimore, kurse, armiqtë e islamit, keqbërësit që thërrasin në bojkot e që mundohen të fusin huti, do të shkapërderdhen si minjtë e gjirizit nëpër kanalet nëntokësore, atje ku e bëjnë jetën e tyre!

Duke i dorëzuar fitrat, zeqatet dhe kontributet e tjera islame në këto qendra arsimore, le të dëshmojmë edhe një herë se, kur është në pyetje interesi jonë i përbashkët, këtu të gjithë jemi unikë por dhe refuzues të keqbërësve, të atyreve që ua mendojnë të keqen vatrave ku nxihet përmendësh Shpallja e Allahut, ku avancohen dituritë islame dhe prej nga dalin predikues profesionistë të Fjalës së Allahut të Gjithëdijshëm.
Muzemil Osmani, ish-Medresant, gjenarata XXIII e Medreses Isa Beu Shkup