Timonie: Mos e humbni shpresën për anëtarësim në BE, pritet metodologji e re e zgjerimit

Qytetarët e RMV-së nuk duhet ta humbin shpresën për anëtarësim në Bashkimin Europian, ndërsa vlerësimi i presidentit francez, Makron, për mosdhënien e datës për fillimin e bisedimeve, nuk duhet parë si veto, thotë ambasadori francez në Shkup, Kristian Timonie. Sipas tij, kjo porosi duhet parë vetëm si një etapë e keqe, por që në brendinë e saj ka porosi inkurajuese.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se ka dallim në mes pritshmërive, dëshpërimit dhe asaj që realisht gjendet në tavolinën në Bruksel. Dhe nga gjithë kjo ne duhet të nxjerrim mësim edhe Qeveria ime në Francë, por edhe ata të cilët para kohe kanë premtuar diçka, sikur të ishte realizuar një premtim. Por, unë jam këtu për të thënë se edhe synimet tona janë për integrim të plotë të vendit dhe kjo duhet të pranohet vetëm si një etapë e keqe për të gjithë ne, kjo është porosia që sot dua ta jap për të gjithë qytetarët e vendit. Presidenti Makron ka treguar vlerësimin e tij, këtu janë prezantuar gjërat si një veto e Francës, por ajo nuk mund të vlerësohet si e tillë nëse i shikojmë ngjarjet se si kanë lëvizur në Bruksel dhe kështu nga këndvështrimi fondamental po përballemi me çështje nga pikëpamja gjeopolitike”,- deklaroi ambasadori i Francës, Kristian Timonie.

Ambasadori francez Timonie, po ashtu theksoi se Marrëveshja e Prespës mund të jetë një parakusht, por agjenda evropiane është një çështje tjetër. Timonie po ashtu theksoi se pret që në samitin e ardhshëm në Zagreb të merret vendim për ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit, sepse vetë BE është e tronditur fuqishëm me BREXI-in.

“Ne duhet të japim ide të reja rreth metodologjisë së zgjerimit, ndërsa ju duhet të vazhdoni me çështjen e reformimit dhe kjo ishte thënë nga liderët e BE-së, por edhe nga liderët tuaj, se vendi do të vazhdojë në rrugën euroatlantike. Tani do të ballafaqoheni me probleme të reja të reformave në fushatë zgjedhore, por reformat duhet të vazhdojnë. Por, edhe një duhet ta dini, se vendimi për moshapjen e negociatave me RMV-në dhe Shqipërisë nuk ka qenë vetëm vendim i Francës. Këtë tani duhet ta harroni dhe të vazhdoni synimin tuaj, sepse ju presin punë dhe perspektivë e mirë”,- theksoi ambasadori i Francës, Kristian Timonie.

Timonie u zotua se Franca nuk do të jetë frenuese e rrugës euroatlantike të Maqedonisë së Veriut, por as e Kosovës, Serbisë, Bosnjës apo edhe të Shqipërisë. Ambasadori francez nuk dha informacion se a do ta vizitojë vendin presidenti francez Makron.