U dërguan mijëra ndihma, por në një fshat ato lihen të kalben

Teksa duket se më e keqja nga goditjet e tërmetit kaloi, problem më vete ngelet tani sistemi i banorëve që kanë humbur shtëpitë e tyre ose që banesat e të cilëve janë dëmtuar. Deri tani nuk ka një shifër të saktë sesa shtëpi janë të pabanueshme, por janë rreth 900 qytetarë të plagosur.

Në Sukth, qytetarët kanë braktisur çadrën e ngritur për ta, për të zbatuar urdhrin e Ramës e për t’u vendosur nëpër hotelet me të cilat qeveria ka bërë marrëveshje. Por ajo që vihet re është fakti se qytetarët përveç çadrës, kanë braktisur edhe ndihmat e mbledhura për ta.

Në pamje shihen ushqime përtokë dhe rroba e batanije të lëna në çadër, ndërkohë që banorët janë nisur drejt hoteleve. Kjo do të thotë se të prekurve nga tërmeti iu mungon organizmi, nuk ka një person përgjegjës që t’i udhëheqë, duke bërë kështu që gjithë ato ndihma të mbledhura të shkojnë dëm.