VATRA DHE DITA E FLAMURIT

PËRVEÇ VATRËS, KUSH MUND T’I DILTE PËR ZOT FOSHNJËS QË LINDI NË VLORË ME 28 NËNTOR 1912 ?

NGA DALIP GRECA*

Federata“Vatra” dhe Flamuri kuq e zi përbëjnë binomin e pandashëm përgjatë të gjithë së historisë së ekzistencës së vetë Vatrës. Që në kohë themelim e në vijëmësi Vatrës i ka prirë Flamuri kuq e zi.Askush nuk mund ta mohojë faktin se Vatra i priu Pavarësisë, jo vetëm pse u themelua 7 muaj para se Ismail Qemali të ngrinte Flamurin e Pavarësisë në Vlorë me 28 Nëntor 1912, por edhe për faktin se ajo e orientoi shtetin e pavarur shqiptar në kahun perëndimor.
Vatra ishte e kthjellët në qëndrimet e saj. Është i njohur qëndrimi i saj përmes telegramit të kryetarit të saj Faik Konica dërguar Kuvendit të Vlorës, ku kërkohet haptazi orientim perëndimor. Citoj:
Mbledhjes së Kombit, Vlorë:
Federata Panshqiptare VATRA e Amerikës dërgon urime të nxehta për inauguratën tuaj, e cila s’do të harrohet kurrë.
Vatra i lutet mbledhjes së Kombit, që të mos krijojë një shtet oriental, por një shtet krej Evropian, si Norvegjia, Danimarka, Hollanda, Blegjika…I nënshkruari u lutet veçan deputetëve muslimanë të provojnë atdhesin’ e tyre duke zgjedhur një princ të krishter. Po të bëjnë ndryshe do të bëjnë një lajthim të pandreqshëm…”
Për Komisionin- Faik Konitza(Dielli, 5 Dhjetor 1912)
Shpallja e aktit të Pavarësisë nuk e shpëtoi Shqipërinë nga rreziqet. Vatra nuk rreshti së luftuari. Ajo dërgoi Nolin dhe Konicën në Evropë që të luftonin në arenën ndërkombëtare për shpëtimin e Shqipërisë, ndërkohë që Vatra nga Amerika u bë avokate e palodhur. Dielli konstatonte se: Proklamata e Pavrësisë ishte vetëm një copë kartë. Pyetja shtrohej: Si do të mbahej ky shtet? Fqinjët ia kishin bërë gati varrin para se të nisnin luftën me Turqinë. Shtetet e mëdha nuk ishin të gatshëm të mbronin krijesën-foshnjë-Shqipërinë e prapambetur. Ndër të gjitha, vetëm Austria ishte e ineteresuar të ndalte sllavizimin e tokave shqiptare, Italia e kushtëzonte mbrojtjen e Shqipërisë me interesat e veta, Franca dhe Rusia, punonin fort kundër interesaver shqiptare, Po ashtu Dielli konstatonte se krerët e Shqipërisë që kishin marrë shtetin në dorë ishin pa ndjenja atdhetarie, dhe thuajse të gjithë kishin shërbyer në të shkuarën në zyrat e Perandoris Osmane.
Dielli shtronte pyetjen: Kush mund t’i dilte për Zot foshnjës që lindi në Vlorë me 28 Nëntor 1912?Dhe përgjigjej po vetë: Vetëm Shqiptarët e Amerikës me anë të Vatrës, e cila që më 1912 dhe gjer më 1920 veproi nga Bostoni si qeveri në mërgim. VATRA, LUFTËTARJE E PAVARËSISË Ndërkohë që Noli dhe Konica u larguan në Evropë për t’i ndih shtetit-foshnjë, Vatra vazhdon luftën në shumë fronte: Mbanë gjallë shpirtin atdhetar përmes gazetës”Dielli”, përmes konferencave nëpër koloni, përmes mitingjeve e protestave, ku u apelonte ndërkombëtarëve për drejtësi ndaj kombit, që po tentohej të gëlltitej nga fqinjët. Dielli u jep zë protestave. Gazeta shkruan se Shqiptarët e New Englad-it nën hijen e Vatrës, mbajtën një miting në mbrojtje të tërësisë toksore të Shqipërisë. Mitingu u mbajt ditën e Dielë me 27 Prill 1913 në Lawrence Hall, 724 Washington Street, MA. Shqiptarët protestuan kundër grabitjes që i bëri Shqipërisë konferenca e Ambasadorëve në Londër, duke i dhuruar Serbisë viset më të mira shqiptare në Veri dhe Greqisë viset Jugore. Dy ditë para mitingut, informonte Dielli, malazezët kishin hyrë në Shkodër, edhe pse Konferenca e Londrës ishte treguar”zemër gjerë” dhe nuk kishte pranuar aneksimin e Shkodrës shqiptare, por ia kishte njohur Shqipërisë.

Nga mitingu i madh i Bostonit iu dërgua një Rezolutë Kryetarit të Konferencës, Sir Edward Grej. Mesazhi përcjellës i bënte të njohur kryetarit të Konferencës se në mitingun e 21 prillit 1913 në Boston, u përfaqësua vullneti i 30 mijë shqiptarëve të Amerikës.Të njëzëshëm, shqiptarët e të gjithë besimeve kundërshtonin ashpër coptimin dhe rrëmbimin e trojeve shqiptare.
Atë kohë Vatra udhëhiqej nga kryetari Kristo Dako, i cili së bashku me zonjushën Parashqevi Qiriazi, ishin folësit kryesorë në miting. Rezoluta, paralelisht iu dërgua të gjitha kancelarive të Fuqive të Mëdha. Dielli e cilësonte këtë si hapin e parë të luftës për jetë a vdekje në mbrojtje të shtetit të pavarur shqiptar.
VATRA dhe Dielli luftojnë në front të gjërë, sa kundër fuqive të mëdha që mbështesnin fqinjët tanë në politikat grabitqare ndaj Shqipërisë, aq edhe kundër vetë fqinjëve. Dielli që atë kohë kishte editor Kristo Dako, atakoi fort politikën e Rusisë, e cila ishte armiqsore ndaj Shqipërisë. Gazeta u bënte thirrje shqiptarëve të Amerikës që të mos ushqenin iluzione për Rusinë.
Në gazetën Dielli të 3 Qershorit 1913, shkruhej:” Nuk duhet kurrë Shqipëria të presë ndonjë të mirë ose ndihmë nga Rusia se interesat e saj kanë qenë dhe do të jenë kurdoherë për të copëtuar Shqipërinë dhe t’ua shpërndajë këlyshëve sllavë për fitim të saj. Programi i Rusisë është që të përfshijë një ditë të gjithë shtetet e Ballkanit, të lidh Detin e Zi me Egjeun dhe Adriatikun.
Edhe fqinji jugor i kishte prehur dhëmbët për të kafshuar Jugun e Shqipërisë. Dielli denonconte dhunën e egër greke dhe u apelonte ndërkombëtarëve. Në numrin e 23 Shtatorit 1913 gazeta shkruante’Të këqiat që heq populli shqiptar nga invadorët grekë janë të pa treguara: Vrasin, presin çnderojnë, burgosin,dhe përdorin çfarëdo mënyre për të përmbushur dëshirat dhe qëllimet e tyre.’
Vatra dhe Dielli, edhe pse Shqipëria ishte nën okupim, përpiqen që të mbajnë gjallë imazhin e Pavarësisë. Me 28 nëntor 1913, Dielli nën titullin” VITI I DYTË I INDIPENDENCËS” shkruante: Është një ditë në Mot që ka një rëndësi të veçantë dhe një kuptim të thellë për një Komb ose një popull. Kjo ditë është e madhe dhe zë të parin vend në historinë e atij Kombi.Amerika e kremeton Pavarësinë me 4 Korrik, Franca me 14 Korrik, Kombi Shqiptar feston ditën historike me 28 Nëntor (1912). Kjo ditë është e shenjtë për Shqipërinë e lirë ose të shkelur.(Dielli, 28 nëntor 1913).
Ndërsa në numrin pasardhës të Diellit, që doli me 2 Dhjetor, informohet lexuesi se Dita e Indipendencës Shqiptare u festua me një shkëlqim të veçantë në Boston. Në zyrat e Vatrës dhe të Diellit, Flamuri Shqiptar valonte së bashku me atë Amerikan. VATRA, PRINC VIDI DHE ESAD PASHA

Vatranët nuk e pushuan luftën. Me 7 Mars 1914, ku Princ Vidi arriti në Durrës, Vatra i dërgoi përhirime me shpresa të mëdha se Shqipërinë do ta mbronte Evropa. Dielli i 10 Marsit 1914, e borhoriste lajmin. Gazeta e Vatrës vërshoi edhe në Shqipëri me entuzizmin se Shqipëria do të bëhej. Dielli i 14 Prillit(1914) shkruante se 400 copë gazeta shkuan në Shqipëri.
Vatranët u gëzuan dhe shfaqën dëshirën të dërgonin ndihma njerëzore pranë princit perëndimor, që ata e quanin Mbret. Mirëpo nisën trazirat në Shqipërinë e Mesme. Shqetësimi u rrit ndër shqiptarët e Amerikës që kërkuan përmes Vatrës të shkonin për ndihmë. Për këtë qëllim Vatra i shkroi princit. Përgjigja erdhi nga Ministri i Brendshëm dhe i Luftës Esad Pashë Toptani nga Durrësi me 11 Prill 1914 përmes një kablogrami’U gëzova për ndjenjat patriotike që tregoni…Kur të jetë nevoja do t’u thërresim…’
Ministri i Luftës dhe i Punëve të Brendshme – Gjeneral Esad Pashë Toptani.
Gazeta Dielli kishte në Durrës korrespondentin e saj, ish Editorin Paskal Aleksi, që përcillte situatën. Për entuziazmin e popullit ndaj princ Vidit, pritjen e tij madhëshore, dhe shpresat e popullit, kishte shkruar edhe”opinga”.
Shumë shpejt Vatra do të mbante qëndrim kritik ndaj politikës esadiste dhe do ta godiste ashpërsisht gjeneralin e perandorisë Osmane.
Në Diellin e 17 Prillit 1914, shkruhej”Esadi i rrezikshëm”. Kabllogrami që publikoi Dielli jepte alarmin:
-Esadi i rrezikshm për Shqipërinë.
-Nacionalistët ndiqen prej hafijeve esadiste.
-Memurë të Turqisë janë nëpunës të Qeverisë.

  • Gjuha Shqipe ndalohet në zyrat qeveritare.
  • Protestoni te Mbreti!
  • Kërkoni dorëheqjen e Esadit nga Ministria e Brendshme!….
    Dielli e duartroket lajmin e arrestimit të Esad Pashës me 20 Maj 1914 dhe informon lexuesit se ai iu dorëzua përfaqësuesit të Italisë, Alliotit dhe u deportua për në Itali. SHQIPËRIA NË KAOS, VATRA MERR PËRSIPËR BARRËN E SHTETIT INEKZISTENT Ndërkohë që në Shqipërinë e Mesme vazhdojnë trazirat, Greqia përfiton në Jug dhe kryen maskara. Vatranët protestojnë në një miting të madh në Boston, duke dënuar barabrizmat në Toskëri. Mitingu u mbajt me 17 Maj 1914. Ai u kryesua nga patrioti i njohur, vatrani i Biddeford,nga shteti i Maine-it, Stath Suli, i cili më vonë do të bëhej pre i kurtheve të Vorio- epirotëve në Shqipëri, që do ta vrisnin me armë e duar shqiptare, duke e masakruar; i prenë kokën dhe ia dhuruan porositësve grekë. Vatra i ndiqte me vëmendje ngarjet në Shqipërinë e Jugut. Dielli përherë bënte thirrje për qëndresë. Në numrin e 29 Majit 1914 gazeta e Vatrës informon se në Shqipëri që në fillim të prillit 1914 kishte plasë një Kryengritje e organizuar nga ushtarët grekë, duke pasë dhe ndihmën filogrekëve shqiptarë. Lufta kishte zgjatë për gjashtë ditë. Shqiptarët triumfuan dhe qëndruan heroikisht. Të dy palët, raportonte Dielli, humbën rreth 300 luftëtarë. Ndërkohë esadistët ishin bërë të rrezikshëm. Dielli informonte se më 19 dhe 25 Maj esadistët kishin organizuar kryengritje në Shijak, Kavajë, Tiranë, dhe sulmuan Durrësin.Në beteja, raportonte Dielli i 16 Qershorit 1914, ranë 30 nacionalistë dhe 80 mercenarë kryengritës. Dielli u thur lavde dëshmorëve si Kolonel Thompson, Haki Glina dhe Ceno Sharra. Raportuesi informonte për Diellin se midis të plagosurëve ishin oficeri Meleq Frashëri dhe Sotir Gjika. Ndër të plagosurit lehtë: L. Gurakuqi, Sabri Qyteza dhe Veli Vasjari. Dielli nuk kursen bashkëpunëtorët me Esadin.
    Vatra dhe Dielli e “qanë” largimin e Princ Vidit nga Shqipëria me 3 Shtator 1914. Në numrin e 8 Shtatorit Dielli boton në vend të kryeartikullit”MBRETI YNË IKU”!
    Një tjetër artikull vinte nga Durrësi dhe shkruhej prej Qerim Panaritit, i cili 30 vjet më pas do të bëhej editor i më shumë se dy dekadave për Diellin. Shkrimi që përcillte ikjen e mbretit nënshkruhej me pseudonimin” Opinga”.Citoj:” Mbreti unji Flamurin e Shqipërisë me dorën e tij, dolli bashkë me Mbretëreshën, dhe nisën të shkojnë duke përshëndetur popullin me këto fjalë:Ju lëmë shëndoshë dhe Ju gjetshim shëndoshë!..
    Tërë gjendja lëshonte lot nga mallëngjimi. Natyra qante…
    Isa Boletini, Bajram Curri, me shokët e tyre Çerçiz Topulli dhe të tjerë shkuan për Lesh…Panariti e përfundon artikullin:’Mbarojë sa për këtë herë, duke shtuar: si mjerë ne të mjerët, që patëm fatin e tillë që të shohim dhe një herë Turqinë të futet në Shqipëri.’Ky shkrim mbanë datën:Durrës, 5 Shtator 1914 në titullin”Flamuri turk valon kudo!” dhe u publikua në Diellin e 29 shtatorit 1914.
    Dielli vazhdon ta ndjekë Esadin, duke informuar lexuesit e vet. “Opinga” shkruan në Diellin e 27 tetorit 1914: Pasi u largua Mbreti nga Shqipëria, e lëshoi tiranin e Tiranës të vejë nga të dojë.Nga Brindizi ai shkoi në Pire, Athinë, Selanik, Nish; në fund hyri në Dibër dhe mblodhi 12 mijë ‘ushtarë’ dhe me 2 tetor arriti në Tiranë. Opinga informon”N’orën 8 të mbrëmjes, ardhi në Durrës tirani që pritej prej Tirane, u puth me miqtë e tij,por më shumë me Dhespotin, dhe hoqi drejt për në Pallatin Mbretëror, dhe aty mbajti fjalimin: Të dashur miq- Unë Esad Pasha, jam përpjekur dhe do të përpiqem për të përmbajtur Islamizmën në Shqipëri. Jam tepër i gëzuar që u kthyesh shëndoshë.Ju uroj edhe ju që dolët faqebardhë në punën e shenjtë që nisët.
    ***
    Gazeta e Vatrës konstatonte me dhimbje se Pavarësia e Shqipërisë me 28 Nëntor 1914 ishte festuar vetëm në Shkodër. Ndërkohë lajme të këqia erdhën nga Vlora. Lajmi në Boston mbërriti vonë dhe Dielli e publikoi me 20 Janar 1915:…Me 25 Dhjetor 1914, Ditën e Krishtlindjeve , Italia, djallzisht ishte shfaqur me trupa pushtuse në qytetin e Vlorës.
    Në këto kushte Vatra, merr masa të menjëhershme. U mblodh Komisioni me 6 Mars 1915, dhe me propozimin e Kristo Kirkës, Kol Tromarës, Nik Dishnicës, dhe Andrea Kristos, u vendos që të formoheshin Trupat ushtarake të Vatrës. Për këtë qëllim u ngrit komisioni i posaçëm që do të organizonte Trupat: Kristo Kirka, Kol Rodhja, Kol Tromara, Kostë Çekrezi, dhe Vangjel Sotiri.Komisioni që drejtonte Vatrën përbëhej: Faslli Frashëri, Miçe Bardho,Kosta Isaak, Costa Th. Ratska(arkëtar), Vani Chekani(Sekretar i Komisionit), Loni Kristo-sekretar i Vatrës. Përgjegjës për Trupat u ngarkua Aqif Përmeti.
    Vatra po kryente detyrën e shtetit që mungonte. Vijoi përgatitja e Trupave Vullnetare në të gjitha qytezat ku kishte degë të mëdha për t’i dërguar në Shqipëri. Ndërkohë, Festa e Flamurit, kishte diktuar nevojën e ngritjes e Bandës muzikore të Vatrës. Kjo kërkesë u bë nga dega e Usterit në festën e 28 Nëntorit 1916. Merita i takon Thoma Nasit, i cili sapo ishte kthyer nga shërbimi ushtarak. Banda përbëhej nga muzikantë amatorë, të cilët i blenë instrumentët me shpenzimet e veta. Pas një viti banda ishte gati dhe dha koncertin e parë më 1917.
    Përgatitjet për Trupat e Vatrës ecnin paralelisht. Ndërkohë inekzistenca e shtetit shqiptar, e detyroi Vatrën, që të dërgonte delegatë(ambasadorë) në Evropë. Këtij qëllimi i shërbeu organizimi i Ditës së Delegatit, duke filluar që nga 4 qershori 1916. Kjo fushatë kishte për qëllim që të siguronte të ardhura për shpenzimet dhe lobimin për pavarsinë të delegatit Mehmet Konitza. Vatra dërgoi delegatë të tillë në Londër, Zvicër, Romë, Washington. Me 3 Qershor 1917 u organizua fushata për shpëtimin e Shqipërisë, ku u mblodhën 150 mijë dollarë, që shërbyen për të siguruar ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe lobim për Konferencën e Paqes.
    Me 2 Prill 1920 Trupat Vullnetare të Vatrës nën drejtimin e Aqif Përmetit dhe Banda e muzikore me 29 instrumentistë e udhëhequr nga Thoma Natsi arritën në Durrës të thirrur nga Kryeministri Sulejman Delvina.
    • Botoi gazeta “Dielli”, edicioni special, nëntor 2021