VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT GEZUAR FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR DHE 109 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

Në emër të Federatës, Panshqiptare e Amerikës VATRA, të familjes sime, të të gjithë vatranëve dhe shqiptaro-amerikanëve ju uroj nga zemra: Gëzuar 28 Nëntorin – festën Kombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit tonë Kombëtar.
Kjo ditë është e shenjtë për të gjithë ne. Është një ditë lavdie, krenarie, gëzimi dhe reflektimi të thellë. Solemnisht, sot më më shumë se kurrë, përkujtojmë aktin e lartë patriotik të themelimit të shtetit shqiptar, mëvetësinë që plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Mid’hat Frashëri, Lef Nosi, Iljaz Vrioni e shumë personalitet të kombit tonë si firmëtarë të Pavarsisë, e bënë shtetin shqiptar të lirë, të pavarur dhe sovran. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë është moment kulminant i daljes nga robëria osmane pesë shekullore. Sot më lejoni të shpreh nderimet e mia më të thella dhe mirënjohje të veçantë patriotëve të shquar, luftëtarëve të lirisë, dëshmorëve të Atdheut dhe çdo shqiptari që nuk iu dhimbs asgjë në mënyrë që Atdheu të gëzojë lirinë dhe pavarësinë e tij.
Në këtë ditë të nderimi dhe mirënjohje ftoj të gjithë shqiptarët që të jemi më të bashkuar, më solidarë, më të dashur, më bashkëpunues me njëri-tjetrin që ta çojmë përpara drejtë përparimit, progresit, zhvillimit dhe lulëzimit atdheun tonë të bukur e të shtrenjtë. Mesazhet e Vatrës në këtë festë Pavarësie janë kombëtare, vëllazërore dhe të përjetshme në shërbim të kombit e çështjes kombëtare. Si Vatër, si komb dhe si shoqëri kemi kaluar në momente të vështira por sot jemi më të bashkuar dhe më të unifikuar se kurrë. I shpreh mirënjohje për punën e bërë të ndjerit Agim Karagjozi, Zotit Gjon Buçaj, Zotit Dritan Mishto, Ahmet Xhafo, Dalip Greca dhe të gjithë patriotëve që kanë kontribuar në Vatër e në Diell që nga themelimi e deri në ditët e sotme. Mesazhet e Vatrës me rastin e Pavarësisë janë këto:
1.VATRA do të mbështesë me çdo mjet dhe me çdo kusht Shqipërinë, Kosovën, shqiptarët në rajon dhe çdo shqiptar kudo në botë. Vatra do mbeshtese cdo qeveri zyrtare te votuar nga shqiptaret dhe te njohur nga nderkombetaret si ne Tirane ashtu edhe ne Prishtine. Vatra do mbeshtese ne cdo kohe politikat shteterore ne dobi te kombit tone.

  1. VATRA do jetë çdo herë një zë unifikues dhe i fuqishëm dhe do të luftojë për Shqiperinë, Kosovën e cdo shqiptar. Vatra do të forcojë rolin e saj dhe bashkëpunimin në Instucionet më të fuqishme të Shtetit Amerikan, do të krijojë miqësi të reja në Senat dhe Kongres dhe do lobojë te ligjvënësit amerikanë në mbrojtje të kauzave shqiptare.
  2. Vatra do të afrojnë edhe më shumë patriotë shqiptarë në gjirin e saj, bij e bija të nderuar të Shqipërisë e Kosovës, talente dhe pjesëtarë të botës akademike duke bërë krenar çdo shqiptar për formacionin patriotik që do i bashkangjitet elitës shqiptare në VATËR.
  3. Vatra do të fillojë nga Vatikani e deri në Tokën e shenjtë në Jeruzalem tur diplomatik për njohjen e Pavarëësisë së Kosovës dhe promovimin e identitetit e interesit kombëtar të shqiptarëve kudo në botë.
  4. Vatra do te mbeshtese ekonomine, tregtine, sipermarrjen e lire dhe inovacionin, ne shtetet shqiptare e trojet kombetare me qellim rritjen e mireqenies se bashkombasve tane kudo jetojne e punojne.

Bashkë do të jemi më të fortë. Ne do ta bëjmë atdheun tonë krenar çdo ditë.

Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën, Amerikën dhe miqtë e kombit shqiptarë.

Gëzuar përjetë e mot festa e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar.

Me respek e nderim

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA