Vetingu në Polici, Nuhiu: Po përgatisim pr/ligjin dhe planin aksional

Në MPB vazhdojnë përgatitjet për procesin e vetingut në strukturat policore. Grupet e punës të përbërë prej ekspertëve të ndryshëm nga MPB dhe jashtë saj, aktualisht po shqyrtojnë mundësitë më të mira për të përgatitur propozim ligjin për zbatimin e vetingut dhe planin aksional. Zëvendësministri i brendshëm, Agim Nuhiu, për TVM2, thotë se është akoma herët për të thënë se kur do të mund të fillojë zbatimi i vetingut në MPB.

“Është iniciativa që ne e kemi inkorporuar në Ministrinë e Brendshme dhe kjo tani më është bërë trend dhe politikë institucionale e dikasterit tonë. Kemi përgatitur informatën të cilën informatë e ka miratuar Qeveria dhe tani ne jemi në fazën që të gjejmë zgjidhje normative dhe plan aksionar dhe presim për një kohë të shkurtër edhe të startojmë me implementimin e kësaj strategjie. Ne nuk mund të flasim për kohën, për datën se kur mund të fillojë ky projekt, sepse përpos që do të duhet të konsumohen aspektet normative, baza ligjore, kushtetuese, do të duhet edhe konteksti politik të merret parasysh”,- tha zëvendësministri i brendshëm, Agim Nuhiu.

Të gjithë të punësuarit e MPB-së do t’i nënshtrohen procesit të vetingut, thotë Nuhiu, sipas të cilit ky proces do të profesionalizojë MPB-n dhe njëherit do të ngritë besueshmërinë e qytetarëve tek organet policore.

“Mekanizmi i vetingut ka për qëllim që të vlerësojë punonjësit e MPB-së a kanë integritet profesional dhe pastërtinë e figurës së tyre gjatë kryerjes së detyrave të tyre në MPB a kanë pasur lidhje me botën e krimit, qoftë në lidhje të drejtpërdrejt, qoftë në lidhje të asocuar që e kanë bërë atë të jetë i përfshirë në kriminalitet, qoftë kriminalitet ekonomik ose të formave të tjera”,- theksoi zëvendësministri i brendshëm, Agim Nuhiu.

Sipas informacioneve, për procesin e vetingut janë shkëmbyer përvoja të ndryshme nga Shqipëria, Britania e Madhe dhe ShBA-të, por ende nuk është vendosur për modelin që do ta implementojë MPB.