Vidhen 10 fidanë në Çair, Muça dënon aktin, policia kërkon dëmtuesit

Dhjetra fidanë të cilët ditë më parë u mbollën nga ana e ndërmarrjes publike, ‘Parqe dhe Gjelbërime”, sot nuk janë. Dorasit nuk dihen, kurse veprën e ka dënuar drejtori Ardian Muça.

E përpos se janë vjedhur fidanët, autorët kanë dëmtuar edhe hapësirën e gjelbër.

Drejtori i Ndërmarrjes “Parqe dhe Gjelbërime”, Ardian Muça thotë se fidanët që u mbollën ishin të rrallë dhe në vendin tonë vështirë të gjendet lloji i tillë.

“Këto drunj, janë drunj specifik, të cilët nuk mund të gjenden shumë shpesh në Republikën e Maqedonisë. Arritëm me shumë mund dhe sakrificë të shtunën dhe të dielën të punojmë në shi, për të zbukuruar këtë vend dhe sot në mëngjes të zgjohemi dhe të shohim këtë akt vandal. Nuk di se çfarë të them. Ne e kemi paraqit në stacionin policor në “Bit Pazar”, këtë rast me shkrim, presim nga institucionet e MPB-së të ndërmarrin masa”, deklaroi drejtori i NP “Parqe dhe Gjelbërime”, Ardijan Muça.

Fidanë të njëjtë gjatë javës janë mbjellë edhe në tetë lokacione tjera. Por në lokacionet tjera nuk janë ndjerë vjedhje dhe keqpërdorime të tilla.