Virusi COVID-19 vë në dyshim mbajtjen e Eurovizionit

Më 27 shkurt, Hollanda raportoi të infektuarin e parë me koronavirus. Deri në këto momente (e hënë, 9 mars) në Hollandë janë raportuar 3 viktima nga virusi, mirëpo numri i të infektuarve është i lartë, 321 raste, çka vendos në pikëpyetje organizimin e Eurovision Song Contest 2020, që pritet të mbahet në Rotterdam, më 12-16 maj.

Bashkëorganizatorët u shprehën se po shqyrtojnë mundësitë e organizimit të festivalit, pas përhapjes së koronavirusit. Transmetuesi Nederlandse Publieke Omroep tha se organizatorët e Eurovision do të ndjekin këshillat e autoriteteve shëndetësore dhe nuk është vendosur ende se në ç’formë do të mbahet festivali. NPO nuk pranoi të diskutojë alternativat që po merren në konsideratë.

Eurovision ndiqet drejtperdrejt nga dhjetëra-mijëra njerëz dhe afro 200 milionë teleshikues. Nuk do të ishte çudi që festivali të organizohet pa njerëz në sallë, por pritet vendimi i organizatorëve.