Virusi korona, Komuna e Tetovës me masa të reja: Do të mbyllen të gjitha tregjet (VIDEO)

Në mbledhjen e dytë të shtabit për menaxhim me kriza të Komunës së Tetovës u vendos që të ashpërsohen masat për parandalimin e virusit korona në territorin e kësaj komune, ky shtab përbëhet prej të gjitha institucioneve që funksionojnë në kuadër të Komunës së Tetovës, njofton Portalb.mk.

Këto janë masat për parandalimin e virusit korona, të cilat i njoftoi sot kryetarja Arifi përmes një video incizimi të publikuar në rrjetin social, fejsbuk.

– Spitali Klinik në Tetovë sipas informacioneve të dhëna është i kompletuar për të gjitha shërbimet e nevojshme dhe janë aktiv të gjithë numrat e telefonit që kanë të bëjnë me paraqitjen e rasteve të veçanta.
– Shtëpia e shëndetit është në përgatitje e sipër të hap mbi 10 pika në komunat rurale përreth Tetovës me qëllim që banorët e këtyre komunave të mos kenë nevojë me rastin e parë menjëherë të vijnë në Spitalin e Tetovës.
– Policia është në krye të detyrës, me të gjitha paralajmërimet për të gjitha ata që nuk i respektojnë vendimet që janë marrë nga ana e pushtetit qendror të punës dhe mospunës të lokaleve të caktuara, masat e policisë do të jenë ende më intensive.
– Kryqi i kuq të jetë pika kryesore sa i përket ndihmës të qytetarëve të izoluar dhe kuzhina popullore e cila është aktive në kuadër të çerdhes “Teteks” do të vazhdoje në ndarjen e pakove ushqimore për familjet në nevojë.
– U informuam që mësimi online është duke vazhduar në shumicën e shkollave të Komunës së Tetovës, i inkurajojmë të gjitha shkollat ta kompletojnë këtë proces.
– Larja dhe dezinfektimi i të gjitha rrugëve, parësore dhe dytësore do të vazhdoje ditëve në vijim.
– Ditën e enjte pezullohen të gjitha tregjet e hapura dhe të mbyllura, të njëjtat do të jenë në mbikëqyrje të inspektoratit komunal me ndihmë të atij shtetëror.
– Ditën e premte do të vazhdojë deratizimi i të gjithë pikave në qytet.
Ndryshe, një javë më herët në mbledhjen e parë u ndërmorën masat e para nga Komuna e Tetovës për parandalimin e virusit korona kurse sot këto masa dukshëm janë ashpërsuar.