Visar Ganiu me raport llogaridhënës për realizimin e programit të tij

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu mbrëmë iu drejtua qytetarëve të Çairit, duke prezantuar punën e bërë në dy vitet e para të mandatit të tij, projektet e realizuara dhe ata që janë në realizim e sipër e të cilat janë pjesë e programit të tij zgjedhor të quajtur “Kontrata”. Gjatë fjalimit të tij, kreu i Çairit falënderoi qytetarët për besimin e dhënë, duke premtuar angazhim edhe më të madh në drejtim të realizimit të projekteve të rradhës në shërbim të jetës cilësore.

“Kaluam dy vite me përkushtim dhe elan për të realizuar atë që kishim premtuar në Kontratë. Me kënaqësinë më të madhe duke respektuar parimin e kodit etik të funksionarëve për llogaridhënie dhe përgjegjësi dola para këtu para jush. Kemi edhe shumë punë që janë pjesë e Kontratës, e të cilat jam i bindur se me përkrahjen tuaj, do ti realizojmë dhe bashkë do ta bëjmë Çairin tonë edhe më të bukur”, tha Ganiu në fjalimin e tij pas video prezantimit të detajuar.

Këtë proces llogaridhënës e përshëndetën kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, zëvendës kryeministrat e vendit, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe kryetarë komunash.