Vodhi akumulatorin e Golf 2shit, shqiptari dënohet me burg

Një i akuzuar me inicialet A.D nga Prizreni është dënuar për veprën penale vjedhje e rëndë.Gjykata e Prizrenit ka njoftuar se i akuzuari A.D paraprakisht ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë e Prizrenit, andaj Gjykata të njëjtin e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënim me gjobë në shumën prej 200 Euro dhe dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 1 viti.Ngjarja, sipas aktakuzës, ka ndodhur para dy viteve, më 9 dhjetor 2017 gjatë orëve të hershme të natës në lagjen Ortakoll të Prizrenit.I akuzuari A.D sipas prokurorisë ka bashkëvepruar me të miturin me iniciale A.K, duke shfrytëzuar orët e natës kur prezenca e njerëzve është rralluar.Të njëjtit duke përdorur kaçavidë dhe me përdorimin e forcës fizike, kanë hapur kapakun e motorit të veturës “Golf 2” nga ku kanë arritur të marrin akumulatorin (baterinë) e llojit “Vatra” të cilin më pas akuzohen ta kenë shitur në hekurishten e qytetit të quajtur “Trimi” e cila gjendet në Perllonka në Prizren.