Vuçiq: S`ka diskutime për Kosovën derisa të shfuqizohet taksa

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha sot në Mynih se Beogradi nuk do të diskutojë statusin me Prishtinën derisa taksa për mallrat nga Serbia të shfuqizohet.

“Ne mund të diskutojmë gjëra që janë çështje e përparimit ekonomik, nuk kemi asnjë problem me atë, por nuk do ta diskutojmë statusin derisa të hiqen tarifat. Kjo qëndron dhe ne jemi duke pritur që tarifat të hiqen, “tha Vuçiq duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të Al Jazeera në Munih, ku po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë, raporton Tanjug, transmeton Klan Kosova.

Vuçiq tha se ishte qesharake që të fliste fare për taksën në shekullin 21, sepse duhet të ketë tregti të lirë, duke deklaruar se ai pret që problemi të zgjidhet.

I pyetur nëse do të takohej me përfaqësuesit nga Kosova, Vuçiq kujtoi se Hashim Thaçi kishte marrë pjesë në nënshkrimin e dokumentit për hekurudhat këtë mëngjes dhe kishte parë disa përfaqësues të delegacionit të tyre, por nuk e dinte nëse Albin Kurti do të vinte në Munih pasdite, transmeton Klan Kosova.