Vuçiq zihet ngusht në Bruksel, zyrtarët e lartë të BE-së e pyesin për lidhjet me Rusinë

Kanë nisur takimet në Bruksel mes liderëve të rajonit, para darkës lamtumirëse të thirrur nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.

I pari që ka nisur takimet është presidenti serb, Aleksander Vuçiq, transmeton lajmi.net.

Ai fillimisht është takuar me Komisionerin për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn , si dhe me Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Ndonëse sipas Vuçiq temë e diskutimit nuk ka qenë Kosova dhe dialogu, ai atje është pyetur për lidhjet e ngushta me Rusinë, e sidomos në aspektin ushtarak.

“Ata më kanë pyetur për lidhjet dhe bashkëpunimin me Rusinë, me një ton miqësor, sidomos në aspektin ushtarak”, ka thënë Vuçiq para gazetarëve.

“Kur duam të blejmë armë nga shtetet përendimore evropiane, na pyesin, për çfarë kjo e për çfarë kjo. I vetmi është presidenti Macron që ka ndryshuar mendjen dhe ka thënë, e doni Mistralin, mereni atë”, ishte komenti i Vuçiq.

Sipas asaj që raportojnë mediat në Beograd, Vuçiqit i është bërë e qartë se duhet të qëndrojë në rrugën evropiane, për të mirë të shtetit të tij, Serbisë.

Pjesëmarrës në darkën lamtumirëse të Mogherinit është edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në media është raportuar se në këtë darkë lamtumirëse do të diskutohen edhe çështje përmbajtësore, si tema e dialogut me Serbinë.