Vulaj: Ka rrezik që SHBA’ja ta tërheqë vëmendjen nga Kosova

Aktivisti shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Martin Vulaj, ka thënë se pas ngjarjeve të fundit ekziston një rrezik që SHBA-ja ta largojë Kosovën nga vëmendja.

“Rreziku është që SHBA-ja të tërheq vëmendjen nga Kosova dhe Kosova të mbetet në duar të evropianëve. Pastaj Evropa ta trajtojë Kosovën si Turqinë”, ka thënë Vulaj në RTK.

Ai ka thënë se nuk e di kush e shtyu aktakuzën ndaj Thaçit në këtë moment, duke e prishur planin amerikan për dialog mes Kosovës e Serbisë.

“Ka shumë paqërtësi, por kjo nuk është rastësi. Qëlllimi i lëshimit të këtij lajmi është minimi i bisedimeve që do të ndodhnin të shtunën. Kush e bën, këtë nuk e di”, ka thënë Vulaj.

Ai ka thënë se Grenell i kishte thënë se në Uashington nuk ka pasur as kërcënime, as shantazhe dhe nëse dikujt nuk do t’i pëlqente marrëveshja, atëherë ajo do të mund të mos pranohej.