Xhaferi: Po të varej nga PE, do të kishim datën e bisedimeve

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, gjatë qëndrimit të tij në Strasburg, ka marrë mesazhe të mbështetjes së fuqishme prej eurodeputetëve për perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Siç bën të ditur Xhaferi, në Parlamentin Evropian nuk ka dilema se vendit duhet t’i ndahet datë për fillimin e negociatave dhe kjo do të kishte ndodhur nëse vendimi do të varej vetëm nga eurodeputetët.

“Edhe njëherë ritheksuam mbështetjen e pakusht dhe parezervë për fillim të bisedimeve me RMV-në dhe Shqipërinë, gjë që konsiderohet edhe konstatimi i përgjithshëm se vendimi i z. Makron për të penguar ose për të moslejuar hapjen e negociatave me RMV-në dhe Shqipërisë, konsiderohet si gabim historik i BE-së dhe ka të bëjë me funksionimin e institucioneve të saj”,- tha kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi.

Xhaferi pret që shumë shpejt BE të ndryshojë vendimi për moshapjen e bisedimeve.

“Bëjmë përpjekjet e mundshme institucionale që të ndikohet në vendimin e z. Makron që në një kohë të caktuar të mund të referojë, gjegjësisht të reflektojë të ndryshohet vendimi i javës së kaluar”,- u shpreh kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi.

Kryeparlamentari Xhaferi gjatë qëndrimit në Strasburg ndoqi edhe debatin në Parlamentin Evropian për rezolutën për hapjen e negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.