Xhaferi: Të tejkalohen barrikadat për ligjin për Prokurorinë

Deklaratat e zyrtarit të lartë të BE-së, Oliver Varheji dhe ambasadorit të Francës në Shkup, Kristijan Timonie, për sjelljen e ligjit për Prokurorinë Publike, kanë përplasur edhe një herë palët në vend, por duke mos dhënë asnjë shpresë se ky ligj mund të miratohet gjatë kësaj përbërje parlamentare.
Nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se pjesën e tyre e kanë kryer me lëshimin e propozim ligjit në procedurë parlamentare dhe tani ju mbetet deputetëve ta miratojnë.
Ministria e Drejtësisë
“Ligji është dorëzuar në Kuvend dhe ne do të ishim të gëzuar nëse deputetët tejkalojnë vetëveten. Porosia e komisionerit evropian është e qartë dhe ne presin dhe duam që deputetët të gjejnë forcë dhe të votojnë të motivuar nga ardhmëria evropiane e shtetit dhe jo nga interesat personale të atyre që duan të ikin nga drejtësia. Kjo çështje është një test për patriotizmin”
Nga VMRO-DPMNE kundërpërgjigjen duke thënë se presin që shumica parlamentare të mbështesë propozim ligjin e tyre. Ata akuzojnë se me ligjin e propozuar nga Qeveria tentohet politizimi i pushtetit gjyqsor.
Naum Stoilkovski, VMRO-DPMNE
Ligji për Prokurorinë Publike mund të sillet edhe nesër nëse pushteti e pranon propozim ligjin e VMRO-DPMNE-së. Por pas një viti të plotë është e qartë se LSDM nuk dëshiron ligj por keqpërdorim dhe mbrojtje të kriminalitetit të tyre. Me ligjin Zaev dëshironte ta avancoje personalisht Katica Janevën edhe duke e ditur për rastin “Zhvatja” bisedimet e grupeve qëllimisht u obstruuan. Gjithashtu këtu është edhe deklarata e Renata Deskoskës se pasi lëndët e PSP-së u shpëtuan nuk ka pasur nevojë për tu ngutur me ligjin. Kah fundi I tetorit ka pasur ndërprerje të komunikimit rreth kësaj çështje.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka thënë se nëse arrihet marrëveshje, Kuvendi është në gjendje që në çdo moment të sjellë ligjin për Prokurorinë Publike. Ai ju ka bërë apel partive politike që të respektojnë apelin e përfaqësuesve të BE-së dhe të gjejnë zgjidhne për Ligjin e Prokurorisë Publike.
Talat Xhaferi
“Nëse porosia e ambasadorit francez Timonie është se Ligji për prokurorinë publike është shumë i rëndësishëm për marrjen e datës për negociata, atëherë partitë politike duhet të tejkalojnë barrikadat dhe të merren veshtë. Në aspektin e procedurave të Kuvendit, kohë të mjaftueshme ka dhe Kuvendi mund të punojë në çdo moment nëse ka nevojë, por duhet të ketë rezultat nga puna. Andaj partitë politike duhet të ulen dhe të merren vesht”
Miratimi i ligjit për Prokurorinë Publike nuk është kusht zyrtarë që vendi të marrë datë për hapjen e negociatave, por zyrtarë të lartë të BE-së disa herë kanë përsëritur se do të ndikojë në vlerësimin individual që do të bëjnë shtetet anëtare gjatë marrjes së vendimit në Bruksel.