Xhemijeti, 100 vite pas

E ideuar si parti antikomuniste, me prapavijë fetare, Xhemijeti shumë kujt i shkaktonte lajthitje. Lajthitja e parë ndodhi me autoritetet jugosllave, të cilët e lejuan Xhemijetin të funksionojë se mendonin që krerët e saj do të merreshin ekskluzivisht me çështje fetare.
Lajthitja e dytë ndodhi atëherë kur Pashiqi lidhi koalicion me Xhemijetin, me idenë se po e lufton komunizmin, përmes një partie që kishte petk fetar. Lajthitja e tretë kishte ndodhur se gjoja Xhemijeti ishte zgjatim i politikës turke në Ballkan, konkretisht i Presidentit të atëhershëm të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk. Mirëpo fushëveprimi në terren i Xhemijetit dëshmoi se jo vetëm që nuk ishte proturke, por ishte kundër shumë politikave zyrtare turke që dëmtonin interesat vitale kombëtare të shqiptarëve

Nga Emin AZEMI

Para 100 viteve, konkretisht më 17 dhjetor 1919 në Shkup u formua organizata politike me emrin ‘Xhemijeti’, (Bashkimi) emri i plotë ”Islam Muhafaza-yl Hukuk Cemijet” (Shoqatë Islamike për Mbrojtje dhe Drejtësi). Kryetar i parë i saj i zgjodh Nexhip Bej Draga, i cili fillimisht ishte deputet në Parlamentin Osman, kurse në vitin 1908 ishte kryetar i Klubit kulturor ’Shkupi’. Më vonë ai do të zgjedhet deputet edhe në Parlamentin e Mbretërisë SKS në Beograd.
Nënkryetar i Xhemietit ishte Sheh Sadudini nga Tetova, ndërsa sekretar – Aqif Blyta nga Pazari i Ri.

KURTHET E KONSTATIMEVE SIPËRFAQËSORE

Shumë kush që nuk është ndalur të analizojë arkivin e kësaj organizate, do të mundet shumë shpejt të bie në kurthin e një konstatimi sipërfaqësor se gjoja Xhemijeti merrej kryekëput me mbrojtjen interesave fetare në popullatën e atëhershme (shqiptarë, turq, boshnjak etj.), por në fakt atributin fetar e kishte vetëm petk. Xhemijeti ndryshe edhe nuk mund të regjistrohet, as të funksiononte në terren. Autoritetet mbretërore të kohës e kishin lejuar themelimin kësaj organizate me idenë se ajo do të merret kryekëput me çështje fetare, por ngjarjet e mëvonshme e vërtetuan të kundërtën.
Xhemijeti, në thelb ishte një organizatë që thellë në prapavijë sendërtonte betejën politike kombëtare, kurse fenë e kishte vetëm si paravan për të fshehur idetë primare që kishte.
E themeluar vetëm një vit pasi ishte formuar Mbretëria SKS, Xhemijeti erdhi mu në kohën kur në hapësirën shqiptare jashtë Shqipërisë londineze, pas shpalljes së pavarësisë më 1912, ekzistonte një vakuum total i organizimit politik. Jemi në kohën kur shqiptarët ndodheshin në mes të disfatës turke dhe triumfit sllav në këto troje, ndërkohë që gjunjëzimi më i madh kishte ndodhur në Betejën e Kumanovës, (23–24 tetor 1912).
Konteksti kohor kur u formua Xhemijeti, përkonte me shumë ngjarje dramatike që ndodhën menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, kurse shtrirja dhe ndikimi i kësaj organizate luajti rol vendimtar në kanalizimin e disa proceseve të rëndësishme që lidheshin me fatet e popullit shqiptar.
Xhemijeti erdhi pas planit 14 pikësh të Presidentit amerikan Wudrow Wilsonit, të prezantuara në Konferencën e Parisit, pak muaj më parë, dhe pas formimit të Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, më 1 maj 1918.
Xhemijeti u formua katër vite para nënshkrimit të Konventës së Lozanës (30 janar 1923) atë vit kur ishte themeluar edhe Republika e Turqisë, marrëveshje kjo e veçantë turko-greke, që kishte për objektiv shkëmbimin e grekëve të Anadollit, me “turqit” (këtu u përfshinë shqiptarët e besimit mysliman nga Çamëria) e Greqisë.
Në frymën e kësaj marrëveshje filloi edhe përgatitja e terrenit për shpërnguljen e ‘’turqve’’(lexo: shqiptarëve) nga trojet e tyre stërgjyshore nën Mbretërinë SKS.
Xhemijeti pas formimit doli me një sërë kërkesash politike: për autonominë e plotë fetare, për vazhdimësinë e gjyqeve të Sheriatit për çështjet civile, për ruajtjen e vakëfeve, për “përdorimin e lirë dhe zyrtar të gjuhës përkatëse amtare të joserbëve në shkolla” dhe për mbrojtjen e pronave të bejlerëve nga reformat e reja agrare. Mirëpo të gjitha kërkesa ishin formale, ndonëse edhe ato të qenësishme, ndër kohë që krerët e kësaj organizate kishin objektiva të tjera, të cilat vetëm më vonë do të nxjerrin krye.
Objektet fetare (xhamitë dhe mektepet) ishin vatrat kryesore ku ishte shtri aktiviteti i vetëdijësimit kombëtar të popullatës, sepse vetëm në këtë formë të kamufluar mund të veprohej papengueshëm.

Xhemijeti ishte vazhdimësi e përpjekjeve politike e kombëtare të shqiptarëve pas nënshtrimit që ndodhi me mbetjen e territoreve shqiptare pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, Disa vite më vonë organizimi politik e ushtarak i shqiptarëve filloi të merrte konturat e veta organizative, fillimisht me formimin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, i cili kishte tri forma të organizimit: Aktivitetin diplomatik ( të cilin e zhvillonte kryesisht Hasan Prishtina), rezistenca e armatosur, përmes lëvizjes kaçake (Azem Bejta me shokë…) dhe organizimit politik, që rezultoi me formimin e Organizatës legale politike – Xhemijeti.
Në kushte të disfavorshme politike e sociale, Xhemijeti arriti të ruajë kontinuitetin e veprimit të vet deri në vitin 1925, kur edhe u ndërpre aktiviteti i saj pas ndërhyrjes brutale të autoriteteve jugosllave dhe pas arrestimit të krerëve të Xhemijetit.
Por, edhe pse në rrethana të vështira, kjo organizatë politike arriti të faktorizohet në skenën atëhershme pluraliste, duke bërë koalicion me Partinë Radikale të kryeministrit Nikolla Pashiq, në vitin 1923, i cili ishte i detyruar të bëjë aleancë politike me Xhemijetin edhe përkundër dëshirës së tij, për arsye se rival kishte Partinë Demokratike Serbe, me të cilën kishin mospajtime të mëdha ideologjike e politike.

Pas pëlqimit të krerëve të Xhemijetit për të bërë koalicion me radikalët serbë, fshihej qëllimi i tyre që disa objektiva programore t’i bëjnë pjesë e politikës zyrtare të Beogradit, që përfshihen me sa vijon: hapja e shkollave shqipe, ndalja e kolonizimit dhe reformës agrare, kthimi i pronës së rrëmbyer padrejtësisht etj.

KËRKESAT KOMBËTARE TË XHEMIJETIT IRRITUAN BEOGRADIN

Por, marrëdhëniet e deputetëve të Xhemijetit më vonë u përkeqësuan, si pasojë e mos përmbushjes së kërkesave të tyre nga ana e radikalëve të Pashiqit dhe kjo kishte mjaftuar që politikanët e Shkupit të kërkonin aleatë të rinj, fillimisht duke koketuar me Partinë Popullore fshatare Kroate, e cila ishte forca më e madhe politike që kundërshtonte politikat centriste e nacionaliste të Beogradit, në vitin 1924.
Po atë vit Pashiqi dërgoi njeriun e tij më të besueshëm, Punisha Raçiq, në Kosovë që të takohej me zyrtarë vendës serbë, si dhe për të përgatitur kushtet paraprake për një fushatë opstrukcioni dhe frikësimi, me qëllim që të shkatërrohej Xhemijeti në këtë rajon. Në janar të vitit 1925, dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, u arrestua Ferat Draga, së bashku me aktivistë të tjerë të dalluar, duke përfshirë edhe gazetarët e revistës së Xhemjetit- ”Hak”, në prag të zgjedhjeve. Për rrjedhojë Ferat Draga u dënua me 20 vjet burgim. Më pas, pasi u lirua dhe u ftua në Beograd që të bënte një ujdi politike me Pashiqin, por asgjë s’doli nga kjo marrëveshje, kështu që në vigjilje të zgjedhjeve të reja, më 1927, ai u burgos sërish dhe u dënua edhe një herë me 20 vjet burgim. Partia e Xhemijetit u dobësua nga ky sulm, si dhe nga përçarjet e brendshme, u shthur dhe pushoi së ekzistuari si forcë politike. Revista “Hak” pushoi së botuari; u arrestuan edhe disa liderë tjerë, të kësaj partie, kurse një ndër intelektualët e spikatur të kësaj kohe, Nazim Gafurri, u vra gjatë majit të vitit 1927, për shkak se kishte kritikuar publikisht metodat e kërcënimit që u zbatua gjatë zgjedhjeve lokale nga zyrtarët serbë.

Për të goditur, jo vetëm krerët, por edhe infrastrukturën fetare, qeveria jugosllave në vitin 1925 rrënoi Burmali Xhaminë (afër Urës së Gurit në Shkup) dhe në vend të saj e ndërtoi Pallatin e Oficerëve, që simbolizonte edhe arkitekturën e ere të imponuar serbo-sllave, në inaugurimin e së cilës kishte qenë vet Mbreti, Aleksandar Karagjorgjeviqi.
Çuditërisht shumë vite më vonë, pikërisht në të njëjtin vend disa karagjorgjeviqë të rinj të Shkupit, të veshur me petkun e nacionalizmit të lodhur maqedonas, e rindërtuan sërish Pallatin e Oficerëve, në shenjë nostalgjie e nënshtrimi ndaj pushtuesve serbë, duke mos lejuar kategorikisht edhe njëherë ngritjen e Xhamisë Burmali, aty ku kishte qenë deri në vitin 1925. Kjo dëshmon se aleancat ballkanike sllavo-ortodokse kundër shqiptarëve nuk kanë pushuar, sado që veprimi i tyre në dukje mund të ketë një formë apo stil tjetër. Esenca ka ngelë e njëjta.

XHEMIJETI, SI LAJTHITJE PËR TË PAINFORMUARIT

E ideuar si parti antikomuniste, me prapavijë fetare, Xhemijeti shumë kujt i shkaktonte lajthitje. Lajthitja e parë ndodhi me autoritetet jugosllave, të cilët e lejuan Xhemijetin të funksionojë se mendonin që krerët e saj do të merreshin vetëm me çështje fetare.
Lajthitja e dytë ndodhi atëherë kur Nikolla Pashiqi lidhi koalicion me Xhemijetin, me idenë se po e lufton komunizmin, përmes një partie që kishte petk fetar.
Lajthitja e tretë kishte ndodhur se gjoja Xhemijeti ishte zgjatim i politikës turke në Ballkan, konkretisht i Presidentit të atëhershëm të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk. Mirëpo fushëveprimi në terren i Xhemijetit dëshmoi se jo vetëm që nuk ishte proturke, por ishte kundër shumë politikave zyrtare turke që dëmtonin interesat vitale kombëtare të shqiptarëve. Xhemijeti në esencë kishte frymë laike dhe aspak anadollake, por në formë dukej si fetare.
Si organizatë që pengoi kolonizimin, reformën agrare dhe shpërnguljen e shqiptarëve për Turqi, në periudhën mes dy luftërave botërore dhe si fuqi politike emancipuese në rrafshin arsimor e kulturor, Xhemijeti do të mbetet një prej gurëve më domethënës kilometrik në rrugëtimin vështirë të shqiptarëve për të siguruar më shumë dinjitet e prosperitet kundrejt aspiratave grabitqare të fqinjëve ballkanik.
Vetë mënyra si përfundoi Xhemieti dhe hakmarrja mizore që u shkarkua mbi krerët e saj nga ana e autoriteteve të Beogradit, që rezultoi me disa dhjetëra vite burg, me reprezalje dhe grabitje të pronave të tyre, flet për karakterin e kësaj organizate, e cila në thelb u krijua për të mbrojtur substancën kombëtare të shqiptarëve në vitet e muzgut sllav midis dy luftërave botërore.