Z. Macron, s’ke pse vjen!

Maqedonia dhe Shqipëria duhet të bashkojnë forcat. E para duhet sqaruar se shqiptarët, por dhe të tjerët, nuk janë nxitësit e tensioneve më. Në fakt asnjëherë s’kanë qenë. Maqedonia të zhvishet nga barra shqiptare, apo edhe frika, sepse duke qenë në një anije me Shqipërinë, duhet më ta kuptojë se veç mund të ndihmohen dy palët me njëra tjetrën

Nga Nazim RASHIDI

Ndërkohë që Ambasadori i Francës në Shkup, Kristian Timonie, i përgjigjej interesit të madh të gazetarëve në konferencën e parë për shtyp pas “vetos franceze për zgjerimin” që zhvillohej dje, pra të enjten më 24.10.2019, kryeministri Rama dërgoi cicërimën e tij në Tëeeter. Rama thoshte: “Gjatë një telefonate rreth 45 minuta me Kancelaren Merkel vendosëm të gjitha pikat mbi “i” për ecurinë e mëtejshme të përpjekjeve të përbashkëta për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE (Tweet-i në vend të fjalëve Shqipëri dhe BE kishte flamujt respektivë). Kancerlarja rinënvizoi qëndrimin e Gjermanisë në mbështetje të Shqipërisë. (Me simbole në tëeet janë vendosur flamuri gjerman, dorëdhënie dhe flamuri shqiptar). Danke Angela”. Kështu dukej mesazhi i Ramës që ishte plotësisht i kundërt me mesazhet që i jepte Franca nëpërmjet z.Timonie.

Sigurisht që z. Timonie s’kishte si ta dinte, po as edhe neve se çfarë nënkuptonin “ecuritë e mëtejshme të përbashkëta”, por ishte e qartë se Gjermania mbështet marrjen e datës, kurse Franca ka rezerva, sepse ashtu si tha Macron edhe ambasadori, edhe pse me vonesë, ia mbante ison presidentit të tij, se BE është e komplikuar ashtu si funksionon tani dhe si rrjedhojë duhen reforma. Ambasadori absolutisht s’kishte diçka më shumë për të thënë se ajo se çfarë tha Presidenti Macron. Por ajo që mund të thuhet është se rajoni, pa përjashtim, mund të jetë viktimë, siç ishte para pak ditësh, e vizionit por edhe e inatit të vendeve kryesore të BE-së.

Sigurisht me kokëfortësinë siç e tregoi dhe Presidenti i tij, ambasadori nuk pranoi se është bërë “gabim historik”, madje me vetëbesim tha se ne e bëjmë historinë. Dhe historia mund të thotë edhe atë se Ballkani Perëndimor edhe mund të mos jetë pjesë e BE-së. Nuk mundi as të japë përgjigje të prerë nëse do ketë ose jo zgjerim, tha se do duhen diskutime brenda BE-së. Nuk u shpjegua qartë as për shqiptarët se pse ishin problemi, por tha se gjërat s’mund të mos lidhen në Ballkan. E vetmja fije shprese ishte se do punohet në një “metodologji” tjetër anëtarësimi, e cila mund të shkurtojë procesin e anëtarësimit, por nëse do të ketë një anëtarësim. Me një cinizëm e buzëqeshje me stil francez, na tha se duhet pranuar realiteti siç është dhe të shohim çfarë më tej.

Por pa cinizëm tashmë, kështu dhe duhet të bëhet. Por si është çështja? E para fare duhet të hidhet poshtë, madje si alarm, se shqiptarët do të hidheshin në protestë, madje edhe ata të Shqipërisë, nëse do të kishte datë. Në të gjitha vlerësimet, sidomos diplomatike, s’ka asnjë sugjerim të tillë. Përkundrazi. Integrimi gjithë andej nga shqiptarët shihej, uroj ende, si një motiv i rëndësishëm. Realisht më duken naive, nëse qarqet diplomatike kanë informuar Presidentin Macron ndryshe. Ose nëse ata dinë diçka më shumë se ne, të na e thonë. Për ne që qarkullojmë në rajon, në korniza institucionale, private, partiake, asnjëherë s’kemi dëgjuar që shqiptarët do destabilizonin rajonin nëse hapeshin negociatat.

Por ky konstatim tregon një gjë tjetër. Franca nuk e sheh me gjasë Kosovën dhe Bosnjën në BE, ose të paktën ende jo. Dhe mosrealizimi i një procesi të tillë, mbase sjell tensione. Por edhe këto tensione do nxiteshin, vetëm e vetëm, sepse mungonte nxitja evropiane. Këtë s’ka se si mos ta dijë diplomacia Franceze. Prandaj dhe habia për një konstatim të tillë. Këtë gjë, po nëpërmjet kanaleve diplomatike, madje dhe me tone përtej, duhet ta përçojë i gjithë rajoni, në Paris e gjetiu. Francës realisht i duhet pranuar kontrolli i realitetit që na detyron ta bëjmë. E kjo është se i vogël, me probleme, pa dëshirë për zhvillim, e pa konsensus të gjerë për përparim, s’mund të shkohet përpara. Ka të drejtë Franca kur thotë se këto transformime duhet t’i bëjmë një herë për vete. Por ama gjithë ajo diplomaci franceze të jetë dhe naive në konstatimet se gjeopolitika qenka vënë pa të drejtë para reformave të vendeve, realisht nuk shkon.

Ka aq shumë kontradiktë në atë që e thotë vetë Presidenti francez, Macron. Në një pjesë flet për “fqinjësi të BE-së”, pastaj për “partneritet special”, pastaj për fonde ndaj këtyre vendeve dhe ndikim më të madh që shmang ndikimet nga lindja, dhe jo domosdoshmërisht anëtarësim të plotë.

Si do bëhet kjo? Pa motivin evropian? E vërteta është se Franca, por edhe vende të tjera, që turpërisht fshihen pas saj, përballen me ekstremin e djathtë, madje edhe me fashizëm, dhe ky balanc i brendshëm po viktimizon një rajon të tërë, sepse gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor së bashku, nuk ka kalojnë bruto prodhimin vendor as të një pjese të Gjermanisë. Fjalori i Macron në disa raste madje mund të lexohet edhe si neokolonialist, kur flet për dominancë, prezencë linguistike, etj.

Prandaj JO. Asnjë argument se gjeopolitika nuk ka ndikim pikërisht në këto momente të përballjeve globale nuk mban. Po këtë e dinë edhe vetë zyrtarët në Francë. Gjithsesi, siç thonë edhe ata vetë, tashmë të përballur me realitetin e ri, Maqedonia dhe Shqipëria duhet të bashkojnë forcat. E para duhet sqaruar se shqiptarët por dhe të tjerët nuk janë nxitësit e tensioneve më. Në fakt asnjëherë s’kanë qenë. Maqedonia të zhvishet nga barra shqiptare, apo edhe frika, sepse duke qenë në një anije me Shqipërinë, duhet më ta kuptojë se veç mund të ndihmohen dy palët me njëra tjetrën. Ofensivat diplomatike duhet të jenë të përbashkëta. Nuk është normale, dhe këtë e them sipas standardeve të vetë Evropianëve, që Serbia të ketë negociata të çelura, me gjithë raportet që ka për funksionimin e shtetit gati autoritar, dhe këto dy vende (por dhe të tjerat) të mbesin vrima të Evropës.

Më së paku ministritë e jashtme dhe të integrimeve të Maqedonisë dhe Veriut dhe Shqipërisë duhet të rrisin bashkëpunim ku retorika të jetë në duet përballë BE-së. Të organizohen forume, që nga qeveritare por edhe më tej për veprime të përbashkëta duke eliminuar dyshimet, por edhe duke përforcuar agjendën evropiane. Duhet folur hapur, gjithnjë duke pasur parasysh leksionin francez, se realitetin duhet ta shohim në sy, edhe për ndërtimin e strategjive të reja. Që nga bashkimi i tregjeve, lehtësitë doganore, dalja në det, lidhjet me vendet e tjera perëndimore si partneritete strategjike, sidomos me SHBA-të, e deri tek një plan B, që se përfshin BE-në. Po, unë kam qenë ithtari i integrimeve, por kur BE s’të do më, duhen parë para. Do jetë i pafalshëm moskoordinimi mes Shkupit dhe Tiranës.

Ambasadori Timonie, nuk dha as të kuptohet nëse Presidenti Macron do vijë në rajon. Por në fakt, as të mos vijë. As vendet, as institucionet e as njerëzit s’janë gati të pranojnë një marrëdhënie mazohiste, ku edhe të bëjnë të vuash dhe ti duhet të duash tjetrin. Jo. Macron të vijë kur do jetë gati për dashurinë e njohur franceze, por të sinqertë e direkte. Të kuptohemi,vendet tona kanë shumë për të bërë. SHUMËËËË. Drejtësia, liria e medies, reformimi i shërbimeve inteligjente, prokuroria, korrupsioni… s’ka dyshim për këtë. Asnjë presje. Por ama as të bësh interesantin e të thuash se përgjegjësinë për entuziazmin për anëtarësimin, dhe arsyen e zhgënjimit për mosmarrjen e datës, duhet parë edhe tek të tjerët jo vetëm tek Franca. Sepse Franca për herë ka qenë e rezervuar në dhënien e shpresave.

Por rezerva s’do të thotë refuzim. Kjo ishte arsyeja. Atëherë që sot e tutje ju lutemi bëjuni direkt. Se ja direkt po e them. Franca shihet si mike e aleate, por edhe njerëzit kur 27 vende të tjera thonë se Parisi ka gabuar s’mund se si ta kalojnë këtë pa dyshim. Dhe krejt në fund historia vërtet gjykohet pa emocione, prandaj le të mbesim te faktet. Shpresa jonë, ku bën pjesë dhe Franca, do mbesë Zagrebi. Edhe për vetë faktin se s’është thënë një “jo” e pastër për zgjerimin. Por nëse zhvillimet do jenë zhgënjyese, përgjegjësia do të jetë e Francës, por pasojat do jenë të njerëzve. Meqë flasim direkt: Në takimin e Ambasadorit Timonie me gazetarët, një i tillë shqiptar pyeti se si ka mundësi që Parisi nuk sheh se me veprimet që ndërmori po lejon ndikime ruse? Disa kolegë, ndërhynë duke thënë, “edhe turke”. Gazetari tha ato ndikime nuk më pengojnë! A është gati Franca dhe si rrjedhojë edhe Evropa për “lojë” të re? Uroj që jo!