Zaev: Me punësimet para zgjedhjeve plotësojmë vendet e lira

Punësimet në institucionet shtetërore në këtë periudhë të vitit, pa dallim nëse vijojnë ose jo zgjedhjet, janë as më shumë e as më pak se plotësim i vendeve të lira. Kështu u përgjigj kryeministri Zoran Zaev ndaj pyetjes së gazetarëve se si i komenton punësimet në këtë periudhë parazgjedhore, ndërkohë që kur ishte në opozitë thonte se ky është një truk politik.

Zoran Zaev, Kryeministër
“Fundi i vitit mundëson që të gjithë që kanë kaluar stazh trajnimi 8 se 9 mujor të mund të përparojnë, të marrin vendim për punësim të përhershëm dhe të ngjashme. Ndërsa fundi i vitit i bën poashtu edhe balanset e buxhetit për të gjithë ata që kanë shkuar në pension, ndërsa akoma ekziston nevoja që ato vende pune të plotësohen. Nuk ka asgjë më shumë, asgjë më pak nga ajo që vazhdimisht ndër vite pa dallim nëse vijojnë zgjedhje ose jo, plotësohen vendet e zbrazëta.”

Zaev nënvizoi më tej se në administratë nga 165 mijë, numri i të punësuarve është zvogëluar në më pak se 140 mijë. Ai tha se me këtë trend do të vazhdohet edhe më tej. Zaev shtoi më tej se punësimet bëhen në mënyrë të lejueshme dhe në përputhshmëri me procedurat ndërkombëtare.

Zoran Zaev, Kryeministër
“Udhëhiqemi në përputhshmëri me procedurat ndërkombëtare, reformat në administratën publike janë nën monitoring të delegacionit evropian. Këtë e bëjmë vetëm në mënyrë të lejueshme. ”

Ndryshe gjatë ditëve të fundit shumë institucione shtetërore kanë hapur konkurse për punësime të reja, ndërsa Ministri i Administratës, Damjan Mançevski dje theksoi se punësimet nuk mund të ndalen as në kohën e zgjedhjeve.