Zaev në aksion për të siguruar votat e nevojshme për ligjin për Prokurorinë Publike

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev akoma nuk i ka siguruar 80 votat e nevojshme për miratimin e propozim-Ligjit për Prokurorinë Publike. Zaev optimizmin e ka fokusuar në numrat që i kishte për ndryshimet kushtetuese edhe pse momentalisht nuk dihet nëse të gjithë 80 deputetët do ta mbështesin propozimin.

Ndonëse pritjet e tij nga grupi i pavarur i deputetëve të VMRO-DPMNE-së janë të mëdha, 8 deputetët mësohet se akoma nuk e kanë shqyrtuar tekstin e ligjit. Jo zyrtarisht, Elizabeta Kançeska Mileska është deklaruar se nuk do ta mbështesë ligjin edhe pse e kontaktuar nga Alsat nuk deshi të komentojë. Grupi parlamentar i LSDM-së momentalisht numëron 51 deputetë, 10 BDI, nga 3 deputetë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, nga 2 Besa dhe PDSH si dhe 2 deputetët e pavarur, Amdi Bajram dhe Jusuf Hasan. Numrat tregojnë se Zaev për momentin ka 74 vota, pa përfshirë grupin e pavarur prej të deputetëve. Përskaj grupeve të punës mes pushtetit dhe opozitës, Zaev pranon se rëndësi do t’i kushtohet negociatave me grupin e pavarur.

Po do të mundohem si fillim me 8 deputetët. Kam dëshirë që ata të cilët mbështetën proceset për në NATO dhe BE ta mbështesin edhe këtë ligj. NATO është punë e kryer, por ky ligj na nevojitet për në BE. Por para se gjithash është obligim i partive të mëdha politike që ta mbështesim këtë zgjidhje ligjore. Jemi të gatshëm dhe fleksibël për negociata deri aty ku mundemi, përkatësisht ku nuk shkelim standardet Evropiane”-pohoi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Pas përgjigjes së kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski se nuk ka pse takohet me Zaevin derisa grupet e punës nuk dërgojnë sinjale pozitive nga negociatat, Zaev ka hequr dorë nga takimi që planifikonte ta thërriste këtë javë.