Zaev: Nëse “Shvercerat” nuk e paguajnë dëmin në teatër, do ta paguajë …

Dëmi i shkaktuar në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë (TKM) më 23 nëntor patjetër duhet të paguhet, nëse atë nuk e paguajnë “Shvercerat”, do ta paguajë drejtoresha, Simona Ugrinovska, tha kryeministri Zaev, nga foltorja e Kuvendit ku janë mbajtur pyetje të deputetëve, njofton Portalb.mk.

“Në TKM janë shkaktuar dy lloje të dëmeve – njëra është materiale, tjetra shpirtërore. Në pjesën e dëmit shpirtëror, është ajo që kulturën askush nuk e percepton në atë mënyrë që është prezantuar në TKM, që ishte me të vërtetë lëshim për grupin e tifozëve me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip. Dëmi patjetër të kompensohet”, tha Zaev i cili personalisht mori pjesë në pjesën e parë të mbrëmjes i cili u organizua nga Ministria për Sisteme Politike.

Qeveria ka kërkuar të kompensohet dëm prej 4.000 eurove nga tifozët “Shvercerët”.

Portalb.mk ka komunikuar edhe grupin e tifozëve “Shvercerët”, të cilët thonë se nuk është e vërtetë që kanë bërë dëm prej 4.000 eurove, dhe se mbeten në qëndrimin paraprak se ata nuk kanë bërë vandalizëm dhe se për këtë ekzistojnë incizime.

“Grupi i tifozëve “Shvercerat” në mënyrë të ashpër demanton propagandën e vazhdueshme tendencioze ndaj kremtimit tonë për 30 vjetorin e ekzistimit. Të gjitha incizimet, në veçanti incizimi ynë i bërë gjysmë ore pas ngjarjes në sallën e zbrazët, i demantuan njoftimet e tendencioze për gjoja demolimin, vandalizmin apo sjellje të egër. U konstatua se nuk kishte vandalizëm, apo dëme qëllimisht të shkaktuara, por vetëm këndim dhe brohoritje si mënyrë e shprehjes në kulturën e tifozërisë si çdokund në botë. Konkluzionet pa procesverbale për gjendjen e sallës para dhe pas ngjarjes janë të çuditshme , dhe janë të qëllimshme tre ditë pas ngjarjes, ku nuk kishte vërejtje për as një incident në asnjë buletinë. Gjithashtu është e dyshimtë paraqitja e dëmit tre ditë pas ngjarjes që lë hapësirë për të menduar se “dëmi” ka mundur të bëhet edhe para apo pas ngjarjes tonë, ngjashëm si dëmet serioze nga moskujdesja e objektit jashtë dhe brenda. Ne ishim në teatër të festojmë jubileun, dhe jo të rrënojmë, të egërsojmë, të vandalizojmë”, thonë “Shvercerat”.

Në seancën e 172, Qeveria e ka obliguar Ministrinë e Kulturës që në procedurë përkatëse të i urdhërojë drejtoreshës së TKM-së nga organizatorët e ngjarjes të kërkojë kompensim të dëmit të bërë gjatë kohës së ngjarjes, ndërkaq drejtoreshës t’i shqiptohet dënim me zvogëlim të rrogës prej 15% në kohëzgjatje prej 3 muajve, pasi që ka bërë lëshime dhe ka dhënë pajtueshmëri pa marrëveshje të shkruar

Përndryshe, në TKM, më 22 nëntor u realizuan dy ngjarje, Akademia Solemne për Ditën e Alfabetit Shqip dhe Kremtimi i 30-vjetorit të ekzistimit të grupit të tifozëve “Shvercerat”, por bujë nga në publik u bë për të fundit. Sipas drejtoreshë Urginovska, “Shvercerat” “kanë pasur sjellje vandale në sallë dhe kanë dëmtuar inventarin”, ndërkohë aktin e deklaruar vetëm nga ajo, dhe të paverifikuar deri tash nga MPB-ja, e kanë dënuar edhe nga vetë Qeveria.