Zaev: Nëse vjen Mickoski në pushtet do ta anulojë Marrëveshjen e Prespës, por nuk do të vijë

Nëse zotëri Mickoski vjen në pushtet, ai do ta anulojë Marrëveshjen edhe me Greqinë, gjegjësisht Marrëveshjen e Prespës dhe do të anulojë Marrëveshjen me Bullgarinë. Por kjo është arsyeja pse ai nuk do të vijë në pushtet dhe kjo është e pamundur, u shpreh Zoran Zaev, duke komentuar deklaratën e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski se nëse partia e tij siguron 80 deputetë në Kuvend, do të fillonte të ndryshojë Marrëveshjen e Prespës dhe të kthejë emrin kushtetues të vjetër.

“Këto nuk janë gjëra me të cilat duhet të bëjmë shaka. Gjërat janë vërtet serioze pasi është e vështirë dhe duhej marrë guximin për të marrë gjithë ato vendime. Dhe në të ardhmen duhet të qasemi me të njëjtën peshë, kurajo, vendosmëri dhe përgjegjësi ndaj këtyre çështjeve”, u shpreh Zaev në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve pas nënshkrimit të sotëm të Marrëveshjeje për ndihmë shtetërore me kompaninë bullgare të softuerit “Skejll Fokus”.

Ai shtoi se nuk dyshon nëse VMRO-DPMNE-ja vjen në pushtet ata do të bëjnë çmos për anulimin e Marrëveshjes, por në të njëjtën kohë duhet t’u tregojnë me ndershmëri qytetarëve se kjo do të na nxjerrë nga BE dhe NATO, se do të na grindë përsëri me fqinjët dhe do të ketë reflektime mbi ekonominë dhe mbi tërë rajonin.

Kjo, siç theksoi Zaev, do të thotë hidhërim i ri përmes një vetoje të re, e cila do të dorëzohet menjëherë dhe ne do të bllokohemi përsëri dhe do të presim 15 vjet si kandidatë që përsëri të vije dikush dhe t’i kthejë gjërat në normalitet.

Ai tha se ata duhet të thonë atë që ata e paralajmërojnë se çfarë do të shkaktojë dhe si do të garantojnë anëtarësimin në NATO dhe BE me pikëpamje të këtilla.

“Unë mendoj se edhe partia më e vogël politike në vend që do të zgeidhet është e papranueshme që kështu të pozicionohet. E papranueshme është pa marrë parasysh sesa lakmitar për pushtet, dëshirë për të fituar, për më shumë vota dhe të ngjashme. Bëhet fjalë për qytetarët dhe vendin tonë. Ne i kemi përmbushur të dy qëllimet strategjike, jemi anëtar i NATO-s dhe besoj se së shpejti do të fillojmë negociatat me BE-në”, u shpreh Zaev.

Këto synime tona strategjike, siç theksoi ai, sjellin ekonomi, investime dhe ndërtojnë miqësi.