Zaev sot takon Selën dhe Kasamin, ja agjenda e bisedimeve?

Kryeministri Zoran Zaev sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të takon opozitën shqiptare. Zaev me fillim nga ora 9:00 pritet të takohet me kreun e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ndërsa me fillim nga ora 10:00 pritet të takohet me liderin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Në fokusin e këtyre takimeve do të jetë Prokuroria Speciale, dhe se kryeministri Zaev do të kërkojë mbështetje nga dy partitë shqiptare për vazhdimin e mandatit të kësaj prokurorie si institucion i pavarur.

Ndërkohë, është caktuar takim i ri i grupeve të punës për Prokurorinë Speciale, një ditë pasi VMRO-DPMNE-ja dërgoi në adresën elektronike të ministres së Drejtësisë, Deskoska, propozim/amendamente për ligjin. Takimet do të vazhdojnë të enjten pasdite. Opozitarja maqedonase ka propozuar gjithsej 65 amendamente të cilat do të vendosen në tavolinë për negociata me qëllim të përafrimit të qëndrimeve për ligjin për Prokurorinë Publike. Përmbajtja konkrete e propozim/amendamenteve për momentin mbetet e fshehtë.