Zaev: Zgjedhje më 12 prill, po modeli zgjedhor? VMRO-DPMNE: Po bëhet blerje klasike e votuesve

Kryeministri Zoran Zaev thotë se nuk do të shtyhen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Shton se bëhet fjalë për zgjedhje kyçe për Maqedoninë dhe se sipas tij partitë duhet të diskutojnë për nismën e partive të vogla, si dhe LSDM-së, për ndryshimin e modelit zgjedhor.

“Unë mendoj se nuk ka asnjë arsye për prolongim të zgjedhjeve. Në fakt, kryetari i KSHZ-së tha se janë të gatshëm për ndryshimin e modelit zgjedhor, por se kjo varet nga institucioni më i lartë në demokracinë parlamentare, nga Kuvendi. Unë jam i njoftuar se ka një zgjidhje ligjore e cila është jashtë Ministrisë së drejtësisë. Duam ta shohim atë zgjidhje ligjore”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Opozitarja VMRO-DPMNE është për modelin e shumicës. Ata akuzojnë se Qeveria e Zaevit me buxhetin e planifikuar për vitin e ardhshëm, po bën blerje klasike të votuesve.

“Në vend që buxheti të kontribuojë për cilësinë dhe produktivitetin e administratës, Zaev dhe Angellovska me këtë buxhet bëjnë ryshfet klasik për zgjedhjet e ardhshme parlamentare duke manipuluar me qytetarët dhe duke thënë se investojnë në kapitalin njerëzor”, u shpreh Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.

Ish-kryetari i KSHZ-së, Aleksandër Novakovski, thotë se për ndryshimin e modelit zgjedhor, katër muaj para zgjedhjeve, duhet të ketë konsensus.

“Unë flas për ndryshimin e modelit zgjedhor katër muaj para zgjedhjeve, konsensusi është i patjetërsueshëm për shkak të standardeve evropiane për zgjedhje dhe ndryshimi i modelit. Një nga çështjet më të mëdha nga standardet e BE për zgjedhje është ndryshimi i modelit”, tha Aleksandër Novakovski, ish-kryetar i KSHZ.

BDI-së i përshtatet edhe modeli i deritanishëm zgjedhor me gjashtë njësi zgjedhore edhe modeli që e propozon pushteti, por me trajnim paraprak të votuesve. Partitë tjera opozitare shqiptare kërkojnë 3 njësi zgjedhore. Një njësi zgjedhore dhe lista të hapura, pa prag zgjedhor është në interes të partive më të vogla politike që më nuk do të jenë të varura nga partitë më të mëdha.