Zbulohen problemet që aeroplani i zhdukur i yllit të Premierligës kishte para nisjes

Bota e futbollit u godit të hënën nga një tragjedi, kur aeroplani që po e barte lojtarin argjentinas Emiliano Sala u zhduk mbi Kanalin Anglez derisa po fluturonte nga Nantes në Cardiff.

Tani thuhet se aeroplani kishte probleme para se të nisej nga qyteti francez, transmeton Gazeta Express.

Gazeta franceze Ouest raportoi sot se Sala ia dërgoi disa mesazhe bashkëlojtarit të tij te Nantes, Nicolas Pallois, i cili e kishte çuar në aeroport, duke ia shpjeguar se aeroplani kishte tentuar pa sukses të ngrihej tri apo katër here, para se t’ia dilte përfundimisht.

Sipas gazetës franceze, mesazhet përmbanin edhe emotikone me buzëqeshje.

Pasi ishte ngritur në ajër, sulmuesi i kishte dërguar audiomesazhe familjes së vet në Argjentinë, duke shprehur shqetësimet e tij për gjendjen e aeroplanit dhe duke e pranuar se kishte frikë.

Aeroplani me një motor dhe gjashtë ulëse, u nist në orën 20:45 nga aeroporti i Nantes dhe, pas një ore fluturimi, u zhduk nga radari mbi ujërat e Guernsey.

Autoritetet në ishull janë duke kërkuar për mbetjet, edhe pse tashmë kanë thënë se duke marrë parasysh ujin tejet të ftohtë, gjasat për të gjetur të mbijetuar janë shumë të vogla.