Zbulohet ku i mori paratë Ivica Daçiq për fushatën kundër njohjeve të Kosovës

Marinika Tepic, nënkryetare e Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë ‘SSP’ ka thënë se Ivica Dacic, ministri i Punëve të Jashtme serbe ka mbledhur para nga biznesmenë e tregtarë armësh për të tërhequr njohjet e Kosovës.

Tepiq, nënkryetare e Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë ‘SSP’, ka akuzuar ministrin serb të Punëve të Jashtme, Ivica Dacic, se ka mbledhur para nga biznesmenë dhe tregtarë armësh për të tërhequr njohjet e Kosovës, duke shtruar pyetjen nëse në këtë mënyrë ka keqpërdorur pozitën zyrtare.

“A e ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke mbledhur para për “çnjohjet” e Kosovës nga biznesmenë dhe tregtarë armësh, dhe nëse në emër të Sllobodan Teshicit, Dacic kishte marrë më shumë se gjysmë milioni euro para të thata? Dhe nëse në situata të caktuara kur janë marrë paratë, ka qenë dëshmitar shefi i kabinetit të Dacicit, Nikolla Nedelkovic”, ka deklaruar Tepic gjatë një konference për media, transmeton Telegrafi.

Ajo shtoi se i tërë operacioni për tërheqjen e njohjeve të Kosovës ka qenë e përcjellë me mbledhje të fondeve nga biznesmenë dhe tregtarë armësh, dhe që policia dhe prokuroria duhet hetuar pronën e Nikolla Nedelkovicit, që është shef kabineti në ministrinë e Punëve të Jashtme në Qeverinë e Serbisë dhe personave tjerë të lidhur me të.

Tepic ka thënë se për këtë duhet të jetë i njoftuar presidenti serb Aleksandar Vucic, dhe të përgjigjet në pyetjet e saj. Ajo shtoi se shpreson që Daçiqi do të mendohet mirë para se të tentojë të demantojë, kur edhe më herët ka provuar ta bëjë një gjë të tillë.

Kujtojmë se Daçiqi dhe Qeveria e Serbisë në vazhdimësi kanë lobuar kundër pranimit të Kosovës në Interpol, UNESCO dhe organizata tjera ndërkombëtare. Çnjohjet që i ka prezantuar Qeveria serbe janë mohuar në vazhdimësi nga institucionet e Kosovës.