Zelenski: Detyra ime e parë do të jetë lirimi i të burgosurve ushtarakë

Komiku Volodimir Zelenski mbrëmë deklaroi se detyra e tij e parë si president i Ukrainës do të jetë që të sigurojë lirimin e të burgosurve ushtarakë të cilët janë në paraburgim në Ukrainën Lindore dhe Rusi.

“Detyra numër një për ne është kthimi i të gjithë të burgosurve, të gjithë pengjeve ushtarakë, marinarëve tanë”, theksoi Zelenski i cili sipas rezultateve të para, fitoi 73 për qind të votave në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë. Ai bindshëm e fitoi Petro Poroshenkon, i cili fitoi vetëm 25 për qind të votave.

Në Rusi në burg gjenden 24 marinarë ukrainas që nga nëntori i vitit të kaluar, kur roja bregdetare ruse konfiskoi tri anije ukrainase derisa lundronin në Ngushticën e Kërçit.

“Premtoj, asnjëherë nuk do t’iu zhgënjej”, premtoi Zelenski pas publikimit të rezultateve dhe shtoi se edhe pse ende nuk është president, mund të flasë si qytetar i Ukrainës, duke sugjeruar se fitorja e tij bindëse mund të shërbejë si model për ish shtetet tjera sovjetike të cilat “dëshirojnë të lëvizin nga politika e ngurtë”.

“Deri te të gjitha vendet e ish Bashkimit Sovjetik – na shihni! Gjithçka është e mundur”, theksoi Zelenski.

Presidenti ukrainas ka autorizime të rëndësishme kur bëhet fjalë për sigurinë, mbrojtjen dhe punët e jashtme të vendit. Fitorja e Zelenskit me aq shumë dallim paraqet goditje të rëndë për Poroshenkon i cili është në pushtet që nga viti 2014.