Zendeli flet për koalicionin trepalësh

Koalicioni trepalësh për të cilin po vijojnë negociatat mes Lëvizjes BESA, Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës është formulë për fitore të sigurt në bllokun shqiptar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të parapara për më 12 prill, vlerësoi sot deputeti i Besës, Fadil Zendeli.
Ai deklaroi se Lëvizja BESA në mbledhjen e fundit të Kryesisë Qendrore që u mbajt të martën edhe një herë kishin konfirmuar se janë për koalicion trepalësh mes Lëvizjes BESA, Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

Presin përgjigje nga Aleanca për Shqiptarët në drejtim të, siç tha, realizimit të misionit të cilin e kishin vendosur. “Nga Alternativa kishte deklarata të ndryshme nga funksionarët e tij, por nuk ka prononcime nga strukturat e tyre partiake. Pres që strukturat e tyre partiake do të reflektojnë në drejtim të asaj që është interes i të gjitha tri partive politike. Këto tri parti politike si bazë të funksionimit të tyre e kanë ndryshimin e klimës politike, veçanërisht te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, të ketë ndryshime në bllokun shqiptar”, tha Zendeli. Kjo, shtoi është, bazë e përbashkët, bazë drejtë së cilës mund të angazhohen të gjitha tri partitë politike dhe të bashkëpunojnë.

Zendeli potencoi se janë të gatshëm të bisedojnë me Alternativën në nivel më të lartë politik në takim, ndërsa deri më tani kishin kontakte individuale. Nga Alternativa, theksoi, nuk ka përgjigje konkrete, bisedohet, ndërsa nga Aleanca për Shqiptarët ka gatishmëri. Aleanca për Shqiptarët, siç deklaroi deputeti Syrija Rushidi, seriozisht hyn drejtë këtij procesi dhe vlerëson se duhet të ketë bashkëpunim dhe koalicion mes tri partive, me qëllim, siç tha, të mos lejojmë të ketë shpërndarje të votave te shqiptarët.

“Nuk më pëlqen se kjo po bëhet top temë, si të jetë çështje e jetës a vdekjes. Mendoj se më i rëndësishëm në këto zgjedhje është fakti që BDI-ja përfundimisht do të shkojë në opozitë, pa dallim se a do të arrihet ndonjë koalicion i këtyre partive. Ne si parti kryesore opozitare seriozisht inkuadrohemi drejtë këtij procesi dhe mendojmë se duhet të ketë një bashkëpunim dhe koalicion mes këtyre tri partive me qëllim që të mos lejojmë shpërndarje të votave te shqiptarët”, deklaroi Rashidi në Kuvend.

Ai theksoi se ka klimë pozitive dhe vlerësoi se në fund do të kenë sukses me koalicionin trepalësh.
“Është me rëndësi se ne duhet të përgatitemi për këto zgjedhje. Prioritet i yni është që të dalim me program edhe më të mirë para qytetarëve dhe BDI-ja përfundimisht më 12 prill do të shkojë në opozitë”, tha Rashidi.