Zgjedhje në OH “El Hilal”, Behixhudin Shehapi rizgjedhet kryetar

Sot në Shkup u mbajt Kuvendi Zgjedhor të OH “El Hilal”, në të cilin u bë zgjedhja e kryetarit dhe organeve drejtuese të organizatës. Pas realizimit të zgjedhjeve në të gjitha 16 degët në Maqedoni, ata u prononcuan edhe për anëtarët e ri të Kuvendit dhe dhanë propozim për kryetarin e “El Hilal”-it. Me shumicë votash, disa të përmbajtur dhe asnjë kundër, kryetar u zgjodh kandidati i vetëm Behixhudin Shehapi, i cili mori mbështetjen e degëve të organizatës dhe të Këshillit Drejtues. Pas rizgjedhjes, ai u drejtua kuvendarëve, ku mes tjerash theksoi: “Sot, edhe një herë kuvendarët, ma dhanë edhe një mandat që t’i prij kësaj organizate, e cila në nënqiellin tonë përveç aktiveteve humanitare njihet edhe si kontribuese në proceset demokratike dhe zhvillimin e aspektit multikulturor, multinacional dhe multikonfesional në vend”. Më pas, kryetari i posazgjedhur, duke u bazuar në normat statutore i propozoi anëtarët e rinj të Keshillit Drejtues (11 anëtarë), Këshillit Mbikëqyrës (3 anëtarë) si dhe për Këshillin e Nderit (9 anëtarë). Me ndryshimet e statutit është paraparë që Organizata të ketë kryesuesin e Kuvendit. Për këtë post u propzua, prof. Etem Xheladini nga Kumanova. Të gjitha propozimet e kryetarit u miratuan unanimisht. Kjo organizate jo profitabile dhe volontere, është organizata e parë e kësaj natyre e formuar në sektorin civil.