Zgjedhjet presidenciale, Blerim Reka dorëzon zyrtarisht kandidaturën

Shtabi zgjedhor i kandidatit për president, Blerim Reka, i mbështetur edhe nga përfaqësues të Aleancës për shqiptarët dhe Lëvizjes Besa në KShZ, deponuan edhe zyrtarisht nënshkrimet e mbledhura për kandidatimin e Blerim Rekës.

Në afat prej 48 orëve, KShZ do të duhet të verifikojë nëse Reka i ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për t’u zyrtarizuar kandidatura e tij.

“U kompletua dokumentacioni dhe prej tash në afat prej 48 orësh KShZ e konfirmon kandidaturën e kandidatit për president për Maqedoninë e Veriut. Prej kësaj do të thotë, pas 21 marsit kemi një pauzë prej 10 ditëve dhe e shfrytëzojmë këtë dhe fokusohemi në fushatën që vijon pas 1 prillit”,- tha shefi i shtabit zgjedhor të kandidatit Blerim Reka, Florin Hasani.

Nga gjithsej 9 kandidatë të paraqitur për presidencialet e 21 prillit, vetëm 3 prej tyre kanë arritur të mbledhin nënshkrimet e nevojshme për t’u kandiduar.

Kandidati i mbështetur nga shumica parlamentare, Stevo Pendarovski, dhe Gordana Siljanovska – e mbështetur nga VMRO-DPMNE, pritet në ditët në vijim të bëjnë dorëzimin e nënshkrimeve në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.

Pas zyrtarizimit të të gjithë kandidatëve, nga KShZ njoftuan se që të tre kandidatët do të nënshkruajnë kod për zgjedhje të lira dhe demokratike.