Zgjedhjet Presidenciale në SHBA: Implikimet për Kosovën dhe Ballkanin

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të një rëndësie të veçantë që shtrihen përtej kufijve të saj. Në lidhje me Politikën e Jashtme të SHBA-ve, zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ose mund të ruajnë status quo-në, ose të ndryshojnë drejtim. Më konkretisht, në lidhje me marrëdhëniet SHBA-Ballkan, administrata e Trump është larguar nga rruga e veprimit të Uashingtonit, veçanërisht në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Sjellja dhe veprimet e shumë këshilltarëve dhe anëtarëve të afërt të Presidentit Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë (dhe grupeve lobiste serbe) këtë vit, dallonin nga çdo ish-administratë amerikane.

Gjatë diskutimit për zgjedhjet në SHBA, të organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), panelistët Drilon Gashi, Richard Lukaj dhe Anila Nicklos folën nga vendet e tyre në SHBA mbi implikimet që këto zgjedhje mund të kenë në Kosovë dhe Ballkan.

Me ndërhyrjen e NATO-s në 1999 dhe udhëheqjen e trupave Amerikane nga Presidenti Bill Clinton, Kosova u kursye nga vuajtjet dhe shkatërrimet e mëtejshme. Që nga ajo kohë, SHBA-të kanë mbështetur vazhdimisht Kosovën në pothuajse të gjitha frontet. Qeveria e SHBA-së shihej gjithmonë si fener i demokracisë për shqiptarët dhe një shembull që duhet ndjekur.

Folësi i parë i diskutimit, Drilon Gashi, foli prerë për zgjedhjet në përgjithësi dhe rëndësinë historike që mbajnë ato, pasi këto zgjedhje janë pa dyshim zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e re të SHBA-së. Rrjedhimisht, rezultati zgjedhjeve mund të ndryshojë disa gjëra veçanërisht në lidhje me politikën e jashtme.

Gashi shtoi se i nominuari për President Joseph Biden do të sjellë një eksperiencë personale dhe profesionale me fokusin e tij në Kosovë; me Biden, Kosova do të shohë një përqendrim më të fortë në raport me Serbinë, integrimin në botën Euro-Atlantike dhe integrim në Bashkimin Evropian, dhe më e rëndësishmja, një angazhim më të fortë për të mbrojtur integritetin territorial të shtetit sovran të Kosovës.

Ndërsa nga ana tjetër, nëse Trump rizgjedhet president, ai padyshim do të vazhdojë drejtimin e tij të politikës së jashtme por gjithashtu do të vazhdojë të ndjekë politikën e tij të polarizuar. Presidenti Trump ka marrë vendime që ai mendonte se mund t’i shiste si akte pozitive të politikës së jashtme, por përkundrazi ai ka ulur nivelin e politikës profesionale me këto veprime.

Panelisti i dytë, Richard Lukaj, u pajtua me këto pohime, ndërsa hodhi dritë edhe mbi një aspekt tjetër të rëndësishëm në raport me zgjedhjet dhe implikimet e saj në çështjen shqiptare. Shqiptarët kanë qenë me shumë fat që kanë pasur një fokus dhe mbështetje të fortë nga Uashingtoni në të kaluarën; megjithatë, ai deklaroi se shqiptarëve aktualisht u mungon fokusi dhe agjenda për zhvillimin ekonomik, rritjen e sigurisë dhe pjesëmarrjen ndërkombëtare.

Tutje, Z. Lukaj shtoi se, ndërsa Kosova ka një të drejtë themelore për sovranitetin e saj, dhe nuk ka asnjë ligj që mund ta ndryshojë atë, në fund të fundit, ne nuk mund të realizojmë ndonjë veprim përfundimtar pozitiv pa lobuar si duhet për të ardhmen e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe shqiptarëve.

Në fund, Anila Nicklos gjithashtu vuri një theks më të fortë në diasporën shqiptaro-amerikane dhe përpjekjet e tyre në diskutim. Ajo theksoi punën e madhe që “Shqiptaro-Amerikanët për Biden” kanë bërë gjatë gjithë fushatës së Biden si dhe letrën e mbështetjes dërguar fushatës së Biden nga Organizata Shqiptaro Amerikane.

Më e rëndësishmja, gjatë diskutimit të saj, znj. Nicklos gjithashtu theksoi rëndësinë e pakicave dhe grupeve etnike në politikën amerikane; ajo iu referua modeleve të ndryshme të votimit në Florida midis grupeve të ndryshme të pakicave.

Pyetjet nga audienca sollën pyetje të rëndësishme që përqendroheshin në diplomacinë amerikane dhe demokracinë. Për më tepër, u ngritën pyetje në lidhje me largimin e ushtrisë amerikane nga Kosova, një “kërcënim” që u përdor nga administrata Trump dhe këshilltarët e tij më të afërt si Donald Trump Jr dhe Richard Grenell. Ky vendim u perceptua si një kërcënim për ta bërë Kosovën të sillet në një mënyrë të caktuar. Prandaj, kjo duhet të jetë një thirrje zgjimi për qeverinë e Kosovës për të forcuar më tej kapacitetet dhe aftësitë e Ushtrisë së Kosovës për të arritur nivelin e standardeve të NATO-s.

Një argument i rëndësishëm që mund të merret nga diskutimi është nevoja themelore për lobim më të fortë në Uashington nga shqiptaro-amerikanët. Ekziston një nevojë për të kultivuar marrëdhënie më të forta me këdo që është në krye të SHBA-së në mënyrë që të përfaqësojë më mirë interesat e komunitetit shqiptarë. Duke marrë në konsideratë veprimet e administratës së fundit të SHBA-së dhe kërcënimet dhe taktikat e burrit të fortë që Richard Grenell është përpjekur të përdorë në Kosovë, i mbetet diasporës dhe qytetarëve lokalë në Kosovë që të ngrihen për përfaqësim më të fortë dhe respektim për sovranitetin e Kosovës.