Zhvillohet takim me Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe

U zhvillua ditën e sotme në mjediset e Akademisë së Shkencave takim i ASH me një delegacion të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe të Shkupit, Maqedoni e Veriut. Delegacioni, i kryesuar nga drejtori i Agjencisë z. Ylber Sela, po kryen aktualisht vizita në institucione shqiptare, për njohje dhe praktikë të përdorimit të saktë të gjuhës shqipe. Agjencia ka planifikuar aktivitete të ndryshme për vitin 2020, me seminare, konferenca ndërkombëtare etj, por dhe duke u frymëzuar nga publikimi i fjalorit digjital serbisht-shqip-serbisht, me plane për një fjalor të tillë por me gjuhën maqedonase në të ardhmen; agjencia ka nevojë jo vetëm për përvojën e specialistëve të fushës por edhe për bashkëpunim formal ndërinstitucional. Pavarësisht sfidave që dy-gjuhësia përfaqëson për Maqedoninë e Veriut, ajo duhet nxitur dhe ligji për zbatimin e gjuhës shqipe të shkojë përtej logove dhe tabelave dy-gjuhëshe.

Zëvendëskryetari i ASH, akad. Vasil S. Tole, e uroi agjencinë për misionin e tyre fisnik dhe shprehu gadishmërinë e ASH për të dhënë kontributin e saj, me ekspertizë por dhe rekomandime. Ndër objektivat reformuese te ASH, te shprehura në ligjin e ri, është dhe mbrojtja e gjuhës shqipe, së bashku me rritjen e bashkëpunimit me IAL-të dhe institucionet në rajon. Duke bërë pjesë tek shkencat e identitetit kombëtar, gjuha dhe sidomos ajo popullore, janë pjesë e trashëgimisë së pasur shpirtërore e cila duhet ruajtur, u shpreh ai.